Kur do të vijnë vaksinat në Shqipëri?! Fico: Këtë s’e dinë as SHBA e Gjermania! Ne po luftojmë në të gjitha drejtimet

Aktualitet
Kur do të vijnë vaksinat në Shqipëri?! Fico: Këtë

Drejtoresha e ISHP, Albana Fico, foli për procesin e vaksinimit, që ka nisur prej 11 janarit në Shqipëri.

Në një lidhje me “Skype” për News24, Fico u shpreh se të gjithë ata persona që kanë marrë dozën e parë të vaksinës, do të marrin edhe dozën e dytë.

Pyetje: Mund të na jepni informacion mbi procesin e vaksinimit, si po ecën dhe kur do të vijnë dozat e tjera?

Fico: Më duhet t’iu them së pari se janari s’ka mbaruar. Ajo që kam kuptuar nga data 11, kur ka filluar vaksinimi e deri më sot, duket se ka kaluar shumë kohë dhe në kohë pandemie, sidomos sa i përket çështjeve sensitive të trajtimit mjekësor, përfshi edhe vaksinat, ka një dinamikë të frikshme, të jashtëzakonshme. Pfizer ka bërë një bllokim të shpërndarjes dhe Evropa ka shprehur pakënaqësi për këtë. Jemi në një moment ku ka një shqetësim për çështjen e sasisë së vaksinave. E para janari nuk ka mbaruar, e dyta çdo njeri që është vaksinuar do ta ketë dozën e dytë. Deri në 10 ditëshin e parë të shkurtit ne vazhdojmë me procesin tonë të vaksinimit.

Po luftohet në të gjitha drejtimet, që sido dhe çfarëdo të ndodhë, të përfitojmë edhe nga marrëveshjet mes shteteve. Ne kemi bërë marrëveshje, kemi bërë pagesa. Vaksinën e ruajmë në kushte optimale, planin e vaksinimit po e kryejmë. Presim të na vijnë dhe mbi 10 mijë doza. Ndërkohë jemi në kontakte për të mbështetur qeverinë shqiptare me të gjitha informacionet për të negociuar për të sjellë medoemos vaksinën në Shqipëri.

Pyetje: A keni një datë kur do të vijnë vaksinat?

Fico: Ne sot vijojmë të mbetemi në dy pika kryesore, në pritjen e vaksinës në zbatim të kontratës, dhe pavarësisht prej tyre, ajo që po bëhet dhe po bëhet kaq intensitivisht është që ne t’i garantojmë këto vaksina. Pandemia nuk ka qenë besnike e përgatitjes njerëzore në shumë elemente. Këtë e them se kemi pasur pafund raste kur universitete të shquara kanë bërë projeksione për fundin e pandemisë dhe të gjitha kanë rënë. Pra, kjo pandemi na ka testuar të gjithëve në një nivel që nuk është parë më parë. Asgjë që i takon palës sonë nuk i është lënë në asnjë minutë rastësisë. Nuk kemi shkuar në shtëpi para orës 12 të natës. Realisht si mjeke bëj maksimumin, së bashku me një ekip shumë të dedikuar, për të përmbushur çdo lloj gjëje që na kërkohet me shpejtësi ere.

Nuk ka një datë për SHBA, Gjermaninë, Italinë dhe as për Shqipërinë tonë të vogël, sepse kjo pandemi na ka vënë përpara syve situata që askush me përgjegjësi nuk ka mundur të thotë diçka. Kërkesa është shumë e madhe, kapacitetet janë ato që janë dhe kjo është arsyeja që Pfizer po punon ta rrisë këtë kapacitet, ndërkohë që janë në lojë edhe vaksinat e tjera. Madje, sot që po flasim një grup pune po vazhdon komunikimin me vaksinat e tjera. E kemi thënë që Pfizer është opsioni i parë, por jo i vetmi.

ME TE LEXUARAT