Kjo është përbërja e qeverisë së re të SHBA-së

Bota
Kjo është përbërja e qeverisë së re të

Kabineti i presidentit të ri amerikan Joe Biden reflekton larminë kombëtare të SHBA. Përbërja e kabinetit është pasqyrë e shoqërisë së SHBA-së.

Kabineti i presidentit të ri amerikan Joe Biden reflekton larminë kombëtare të SHBA. Përbërja e kabinetit është pasqyrë e shoqërisë së SHBA-së.Në fjalën e tij pas marrjes së postit të presidentit, Joe Biden ka kërkuar unitet, për tejkalimin e përçarjeve në shoqëri. Ai tha se me “gjithë shpirtin do të angazhohet për unitetin amerikan”. 78-vjeçari i ka vënë vetes një plan ambicioz, që të ribashkojë të gjitha strukturat e shoqërisë së përçarë amerikane. Këtë ai synon ta arrijë me një kabinet qeveritar që i përshtatet edhe përbërjes së shoqërisë.

Ekipi i tij është përgatitur me vonesë, për shkak të vështirësive me administratën e mëparshme. Kreu i Agjencisë administrative federale amerikane, GSA, Emily Murphy, refuzonte të bashkëpunonte për transferimin e pushtetit, e këtë e bënte me kërkesën e ish-presidentit Donald Trump, i cili tërë kohën pohonte se zgjedhjet janë manipuluar dhe vjedhur nga demokratët. Trump nuk ishte as në ceremoninën e marrjes së postit nga presidenti i ri Biden. E këto zhagitje kanë penguar edhe përgatitjen dhe punën e ekipit të ri qeveritar.

Me 7 janar, shumë më vonë sesa ishte e planifikuar, Trumpi njoftoi zyrtarisht se do të ketë një “dorëzim të rregullt” të detyrave dhe në mënyrë indirekte pranoi humbjen e tij në zgjedhje. E vetmja që ka mbetur tani është që kabinetin e ri qeveritar ta votojë edhe Senati. E menjëherë pas votimit, ministrat e emëruar më parë nga presidenti Biden mund të fillojnë zyrtarisht punën e tyre.

Ministria e Jashtme:

Me ish-zëvendësministrin e Jashtëm Antony Blinken, Biden ka emruar në krye të diplomacisë një bashkëudhëtarë të tij të kahershëm në politikë. 58-vjeçari konsiderohet si një ekspert i Evropës dhe mbështetës i vendosur i multilateralizmit. Ai është një nga arkitektët e marrëveshjes bërthamore ndërkombëtare me Iranin, të cilën ish-presidenti Donald Trump e ka anuluar në maj të vitit 2018. Blinken synon t’i ringjallë aleancat e prishura apo të lëna pas dore nga Donald Trump. Blinken e sheh Kinën si kundërshtarin kryesor në arenën ndërkombëtare, nuk ka mendim të mirë për bashkëpunimin e Turqisë me Rusinë dhe mendon se duhet të rimëkëmben aelancat e rrënuara me partnerët.

Ministria e Mbrojtjes:

Bidenit iu desh shumë kohë për të vendosur një kandidat për të udhëhequr Pentagonin. Më në fund ai zgjodhi Lloyd Austin. Ish-gjenerali me katër yje është afro-amerikani i parë që mban këtë post, kuptohet nëse vendimi miratohet nga Senati. Austin ishte komandant i forcave të armatosura të SHBA-së në Lindjen e Mesme, derisa doli në pension në vitin 2016. Ai ishte përgjegjës për trupat amerikane në misionet në Irak, Siri dhe Afganistan – vendet e trazirave ku ende ka probleme të mëdha.

Ministria e Financave:

Historia e Ministrisë së Financave në SHBA është më e gjatë se 230 vjet, por kjo ministri nuk është udhëhequr kurrë nga një grua. Me presidentin Biden do të ndryshojë edhe kjo traditë. Ministre e Financave është emëruar Janet Yellen. 74-vjeçarja do të luajë një rol kryesor në mandatin e Biden, pasi ekonomia amerikane ka vuajtur rëndë nga pandemia e Coronës. Yellen ka qenë shefe e Rezervave Federale të SHBA-së prej vitit 2014 deri në vitin 2018. Ajo është shprehur ndërkohë në favor të luftimit të krizës aktuale – jo vetëm përmes shpenzimeve më të larta të qeverisë, por edhe përmes masave të politikës fiskale.

Ministria e Brendshme:

Deb Haaland është personi i parë me gjene indiane që futet në qeverinë amerikane. Deputetja 60-vjeçare vjen nga shteti jugor New Mexico dhe i përket fisit Pueblo të Laguna. Washington Post e përshkroi emërimin e saj si vendimin historik të Bidenit, i cili shënoi një pikë kthese në marrëdhëniet e qeverisë me popujt me gjene idiane. Si ministre e Brendshme, Haaland do të jetë kryesisht përgjegjëse për administratën e shtetit federal.

Ministria e Sigurisë Kombëtare:

Alejandro Mayorkas ka lindur në Kubë, që do të thotë se Ministrinë e Sigurisë Kombëtare do ta drejtojë për herë të parë një person me origjinë latine. Ai do të jetë përgjegjës ndër të tjera për imigracionin. Mayorkas ka njohuri të mëdha në këtë fushë. Në kohën e ish-presidentin Barack Obama, 61-vjeçari ishte zëvendëssekretar i Sigurisë së Brendshme. Në atë kohë, ai ishte përgjegjës për zbatimin e “Programit Dreamer”, përmes të cilit emigrantëve të paligjshëm që u sollën në SHBA nga prindërit e tyre si fëmijë iu dha mundësia e një vizë pune.

Ministria e Shëndetësisë:

Ministri i Shëndetësisë Xavier Becerra është gjithashtu me origjinë latinoamerikane. Një sfidë e madhe pret 62-vjeçarin në kohën e pandemisë së Coronës. Gjatë kohës sa ishte kongresmen, Becerra ishte një mbrojtës i fortë i të drejtave të personave me origjinë latinoamerikane dhe e ka mbrojtur me vendosmëri programin shëndetësor të presidentit të atëhershëm Obama. Në vitin 2016, ai pasoi zëvendëspresidenten e re Kamala Harris në postin e Prokurorit të Përgjithshëm të Kalifornisë. Becerra do të mbështetet nga Sekretarja e re e Shtetit Rachel Levine. Pediatrja aktualisht është Sekretare e Shtetit e Shëndetësisë dhe do të jetë gruaja e parë transgjinore që në SHBA do të ngrihet në një post kaq të lartë qeveritar.

Ministria e Transportit:

Në fushatën e demokratëve, Pete Buttigieg, i cili deri atëherë ishte i panjohur, ishte rival i presientit të ri Joe Biden. Tani 39-vjeçari do të drejtojë Ministrinë e Transportit. Shpresa e re e Partisë Demokratike do të jetë homoseksuali i parë që e pranon hapur këtë në ndonjë post kaq të lartë, në historinë e SHBA-së. Buttigieg e përshkroi emërimin e tij si një “mundësi të madhe” për të krijuar vende pune, për të përballuar sfidën e klimës dhe për të krijuar më shumë drejtësi për të gjithë. Qëllimi i tij është që ta bëjë klimën amerikane neutrale deri në vitin 2050. Ministria e tij do të luajë një rol kryesor në lëvizjen drejt një ekonomie më pak të dëmshme për klimën.

Ministria e Drejtësisë:

Emrat e disa kandidatëve për postet e ministrave janë publikuar më herët. Ndërsa emri i kandidatit për postin e ministrit të Drejtësisë është publikuar pas sulmit në Kapitol. Biden bëri të ditur se për këtë post do të propozojë Merrick Garland. 68-vjeçari më parë ka punuar në një gjykatë federale të apelit në Uashington dhe nuk i përket asnjë partie politike. Obama kishte propozuar atë për Gjykatën e Lartë në vitin 2016, por republikanët e bllokuan emërimin e tij në Senat. Garland njoftoi se ai do t’i nënshtrohej parimit të barazisë para ligjit. Ai tha se prioritet në punën e tij do të ketë lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Ministria e Tregtisë:

Gina Raimondo e ka provuar veten më parë si guvernatore e shtetit bregdetar lindor Rhode Island – prej vitit 2015. Zona e saj e re e përgjegjësisë do të përfshijë mosmarrëveshjet tregtare me Kinën dhe rregullimin e funksionimit të kompanive të mëdha të internetit.

Ministria e Punës:

Kryetari i Bashkisë së Bostonit, Martin Walsh do të marrë përsipër Departamentin e Punës në qeverinë e ardhshme të Joe Biden. Në këtë rol ai do të mbështesë presidentin e SHBA-së në qëllimin e tij për të nxjerrë vendin nga “kriza më e rëndë e punës në pothuajse një shekull” dhe forcimin e klasës së mesme. Biden mendon se duhet të mbështeten edhe kompanitë më të vogla dhe sindikatat.

ME TE LEXUARAT