Minatorët e Bulqizës shpallin kandidatin e tyre për deputet: Të drejtat tona nuk do të nëpërkëmben

Aktualitet
Minatorët e Bulqizës shpallin kandidatin e tyre për deputet:

Në qytetin e Bulqizës për zgjedhjet e 25 prillit Sindikata e Minatorëve të Bashkuar në këtë qytet do të mbështesë si kandidat të pavarur për deputet minatorin Elton Debreshi.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës ku nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale theksojnë se asnjë nga partitë që ka qeverisur vendin për 30 vjet dhe shumë deputetë nuk kanë menduar as për minatorët e as për Statusin e tyre ndërsa kushtet vazhdojnë të jenë të tmerrshme.

Ata shprehen se të ndodhur në këto kushte, mbështetja e një minatori si kandidat i pavarur për deputet është mënyra më e mirë për ta vendosur çështjen e Statusit në qendër të vëmendjes dhe në zemër të fushatës zgjedhore.

“Një minator në Parlament do të ishte garancia që të drejtat tona nuk do të nëpërkëmben më tej, që zëri i minatorit nuk do të vijojë të mbytet njëlloj si jetët tona.

STATUSI I MINATORIT, përpjekja e madhe e mohuar pafundësisht, do të jetë kryefjala në çdo hap të kësaj rruge”- shkruan Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës

Gjithashtu thonë se janë të vetëdijshëm për vështirësinë e kësaj iniciative, në një kohë kur blerja dhe imponimi i votës janë qëllimi kryesor i të gjitha partive politike.

Por këtë barrë e kanë marrë përsipër vetë duke mbështetur komunitetin e qarkut të Dibrës: minatorëve, ish-minatorëve dhe bashkëqytetarëve nëpërmjet kandidaturës së deputet të pavarur të Elton Devreshit

Postimi i plotë:

DO TË MBËSHTESIM NJË MINATOR, ELTON DEBRESHIN, SI KANDIDAT TË PAVARUR PËR DEPUTET

Po bëhet një muaj nga dorëzimi i peticionit me rreth 11 000 firma që kërkon miratimin e Statusit të Minatorit. Deri më sot nuk ka pasur asnjë reagim prej institucioneve përgjegjëse e të papërgjegjshme shtetërore.

Asnjë përgjigje për vullnetin e mijëra qytetarëve, ndërkohë që i gjithë shteti dridhet përpara emrave të përveçëm që kanë kapur pushtetin ekonomik dhe politik në vend.

Përtej peticionit të dorëzuar përpara 30 ditësh, problematika e Statusit të Minatorit vazhdon prej 30 vjetësh. Asnjëra nga partitë dhe qeveritë që kanë drejtuar vendin, si dhe qindra e më shumë deputetët që kanë ngrohur karriget në këto tre dekada, nuk kanë menduar as për minatorët e as për Statusin. Kushtet tona veçse janë përkeqësuar.

Të ndodhur në këtë situatë, pa asnjë shpresë për përmirësim prej atyre që kanë përkeqësuar gjithçka, si Sindikatë kemi marrë një vendim shumë të rëndësishëm:

DO TË MBËSHTESIM NJË MINATOR SI KANDIDAT TË PAVARUR PËR DEPUTET NË ZGJEDHJET E 25 PRILLIT 2021 NË QARKUN E DIBRËS.

Minatori, profesioni më i vështirë dhe më i rrezikshëm, nuk është përfaqësuar kurrë në Parlament. Pronarë, pasunarë dhe politikanë të kollarisur, pasi kanë marrë votat, kanë menduar vetëm si të bëjnë pazare dhe të shtojnë milionat në kurrizin tonë. E njëjta “alternativë” na paraqitet edhe në këto zgjedhje prej partive të vjetruara politike.

Në këto kushte, mbështetja e një minatori si kandidat i pavarur për deputet është mënyra më e mirë për ta vendosur çështjen e Statusit në qendër të vëmendjes dhe në zemër të fushatës zgjedhore.

Një minator në Parlament do të ishte garancia që të drejtat tona nuk do të nëpërkëmben më tej, që zëri i minatorit nuk do të vijojë të mbytet njëlloj si jetët tona. STATUSI I MINATORIT, përpjekja e madhe e mohuar pafundësisht, do të jetë kryefjala në çdo hap të kësaj rruge.

Jemi të vetëdijshëm për vështirësinë e kësaj iniciative, në një kohë kur blerja dhe imponimi i votës janë qëllimi kryesor i të gjitha partive politike.

Këto të fundit janë armike të përbetuara të demokracisë dhe përfaqësimit nga poshtë, nga vetë punëtorët, qytetarët, nga ata që më së shumti i pësojnë padrejtësitë. Por këtë barrë e kemi marrë përsipër duke shpresuar në mbështetjen e komunitetit të qarkut të Dibrës: minatorëve, ish-minatorëve dhe bashkëqytetarëve tanë.

Të nxitur nga shumë dashamirës në qytete të ndryshme gjatë nënshkrimit të peticionit, pas shumë diskutimeve me anëtarësinë, me shokë minatorë dhe bashkëqytetarë, kemi vendosur të mbështesim Elton Debreshin si kandidat të pavarur për deputet.

Mbështetja e Elton Debreshit ka ardhur prej shembullit dhe vullnetit që ka treguar si kryetar i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës.

Pavarësisht pushimit të paligjshëm nga puna, presioneve dhe kërcënimeve, Eltoni nuk është tërhequr në asnjë moment, por ka vazhduar me vendosmëri përpjekjen në mbrojtje të të drejtave të minatorëve. Jemi të bindur që këtë vendosmëri, guxim dhe ndershmëri do ta vazhdojë edhe në këtë rrugë të re e të vështirë.

Elton Debreshi do të jetë emri i përveçëm i përpjekjes sonë të përbashkët për minatorët dhe të gjithë komunitetin.

ME TE LEXUARAT