BB: Shqipëria e rrezikuar nga katastrofat natyrore, i duhen 8 vite rikuperim për humbjet gjatë tërmetit

Aktualitet
BB: Shqipëria e rrezikuar nga katastrofat natyrore, i duhen  8 vite

Shqipëria është një vend shumë i ekspozuar nga katastrofat natyrore. Banka Botërore ka publikuar një raport të indeksit të rreziqeve ku theksohet se tërmeti dhe përmbytjet e ndodhura në vend do të ndikojnë në rritjen e varfërisë. Në raport thuhet se nivelet subjektive të varfërisë u rritën me 2.3 pikë përqindje.

Këto efekte, së bashku me pandeminë COVID-19, kërcënojnë të shtyjnë nivelin e varfërisë mbrapa me tetë vjet në një skenar të rastit më të mirë.

Nga një analizë rezulton se rreth 24,800 individë ose 4.7 për qind e popullsisë në Tiranë mund të kalojë në ulje të ndjeshme të konsumit duke kaluar nga shtresa e mesme në shtresat e varfra.

Ndërsa në rajonin e Shkodrës thuhet se janë rreth 9,200 individë që do kalonin në nivelin e varfërisë për konsum.

Përveç kësaj, vlerësohet se pa ndonjë ndihmë, familjeve shqiptare do t’u duhej mesatarisht më shumë kohë të rikuperojnë gjendjen në krahasim me vendet e tjera evropiane.

Ndërkohë për efektet e tërmetit të vitit 2019 në raport theksohet se Shqipëria ka nevojë për 8 vite e 9 muaj për tu rikthyer në gjendjen e mëparshme.

Banka Botërore jep alarmin se Shqipëria zotëron pak instrumente financimi ndaj rreziqeve natyrore dhe hendeku i mbrojtjes përmes sigurimeve ndaj këtyre fenomeneve të natyrës është i madh. Në përballimin e dëmeve prej fatkeqësive natyrore, vendi mbështetet kryesisht në rialokime të fondeve publike, huamarrje apo ndihmës së donatorëve.

Duke vlerësuar dhe analizuar hendekun e financimit,Banka Botërore sugjeron strategji për financimin e rrisqeve.

Tërmetet e mëdha në përgjithësi janë të rrallë thuhet në raport por mund të rezultojnë në dëme shumë të mëdha të tilla si tërmeti i vitit 2019 që vlerësohet të shkaktojë mesatarisht 99 milion dollarë amerikanë dëme në vit.

Në të kundërt, përmbytjet shpesh shkaktojnë dëmtime të lokalizuara por më të shpeshta me një dëm mesatar të vlerësuar prej rreth 48 milion dollarë amerikanë .

ME TE LEXUARAT