Dhjetëra minatorë të bllokuar nëntokë, gjendet letra që ndez shpresat për shpëtimin e tyre

Bota
Dhjetëra minatorë të bllokuar nëntokë, gjendet letra

Dymbëdhjetë minatorë kinezë të bllokuar nëntokë pas një shpërthimi në një galeri të nëndheshme një javë më parë, kanë treguar së fundmi se janë ende gjallë.

Punonjësit e minierës së arit dërguan sot në sipërfaqe një letër ku shkruhej “Mos ndaloni përpjekjet për të na gjetur” kur grupet e shpëtimit që kërkonin për shenja jete, ulën në thellësi disa racione ushqimi të lidhura në një kabull metali.

Tashmë një linjë telefonike është ngritur me grupin e bllokuar, ndërsa nuk dihet fati i një grupi tjetër prej 10 minatorësh të zhdukur pas shpërthimit.

22 njerëz mbetën të bllokuar në minierën e Hushan në lindje të provincës së Shandong më 10 janar kur një shpërthim dëmtoi daljet dhe sistemet e komunikimit të minierës, e cila ishte ende në ndërtim.

Grupet e shpëtimit kanë disa ditë që kërkojnë shenja për të mbijetuar, derisa më në fund ata ndjenë tërheqje të litarëve që kishin ulur në galeri.

Mediat vendase thonë se grupet e shpëtimit arritën të vendosnin kontakte me minatorët me anë të një tuneli të ngushtë komunikimi që kanë gërrmuar nga sipërfaqja, dhe më vonë dërguan atje ushqim, mjekime letër e lapsa.

Sipas një letre që ata morën nga galeria, 12 njerëz janë ende gjallë në seksionin qendror të minierës.

“Ka edhe 11 të tjerë – një është i plagosur, ndërsa fati 10 të tjerëve nuk dihet”, thuhej në letrën e shkruar me dorë, ku kërkoheshin gjithashtu qetësues dhimbjesh, para se falenderohej për përpjekjet e shpëtimit.

Sot Chen Fei, sekretar i qytezës së Yantai tha se është vendosur kontakt telefonik me të bllokuarit, të cilët aktualisht janë “shumë të dobët”.

Dy ngarkesa me ushqime dhe mjekime janë dërguar në minierë, të cilat besohet se u dalin të bllokuarve për dy ditë.

Përveç qetësuesve 12 minatorët kanë kërkuar mjekime anti-inflamatore dhe fasho për të plagosurit.

Mediat kineze raportojnë se të tjera galeri të holla po shpohen me shpresë për të arritur te të bllokuarit që besohet se janë 600m larg hyrjes.

ME TE LEXUARAT