Youtube gjithashtu bllokon llogarinë e Trump

Teknologji
Youtube gjithashtu bllokon llogarinë e Trump

Pas trazirave në Kongresin e SHBA-së edhe kompania Youtube deklaroi

se ka pezulluar kanalin e Donald Trump, për shkak të shkeljes së rregullave kundër nxitjes së dhunës.

Kompania në pronësi të Google u bashkua me platformat e tjera kryesore të mediave sociale në ndalimin e llogarive të presidentit në largim.

Platforma për shpërndarjen e videove gjithashtu tha se do të pezullojë pa afat “mundësinë e komenteve” në kanalin e Trumpit, për shkak të shqetësimeve të sigurisë.

Twitter dhe Facebook gjithashtu kanë hequr llogaritë e Trump.

Llogaritë e presidentit u pezulluan edhe nga shërbime si Snapchat dhe Twitch.

Një ditë më parë Donald Trump komentoi edhe procedurat e nisura nga Kongresi për shkarkimin e tij të mundshëm. Ai u shpreh se kjo është qesharake dhe vazhdim i gjuetisë më të madhe të shtrigave në historinë e politikës.

Gjithashtu ai sulmoi sërish kompanitë e mëdha të teknologjisë, duke thënë se ato përbëjnë rrezikun më të madh për vendin.

ME TE LEXUARAT