Lajmi Fundit
Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqiperia, informacionet e fundit, lajmeshqip, lajmet, lajm nga vendi, lajme nga kosova, lajme rajoni, bota, live te fundit news 24

Osmani kundër deklaratave të Lajçak për njohjen e Kosovës

Presidentja në Detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani këtë të mërkurë ka reaguar ndaj pretendimeve të përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i cili ka thënë se nëse Serbia e ndryshon pozicionin karshi Kosovës, atëherë njëjtë do të mund të vepronin edhe pesë vendet evropiane që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Sipas Osmanit është për të ardhur keq nëse politika e jashtme e këtyre vendeve i nënshtrohet asaj të Serbisë dhe Rusisë.

“Përveç që është për keqardhje, është edhe e rrezikshme për gjithë Bashkimin Evropian që pesë shtetet anëtare të tij të përcaktojnë rregullat dhe qasjet e tyre duke u bazuar në dëshirat dhe kërkesat e Serbisë”, ka thënë Osmani.

Osmani ka bërë thirrje që këto shtetet të njohin realitetin, duke respektuar edhe mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe ta njohin Kosovën, e jo të presin që këtë ta bëjë së pari Serbia. Spanja, Sllovakia, Rumania, Qiproja dhe Greqia janë pesë vende anëtare të BE-së nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Sot Osmani ka përfunduar dhe vizitën e saj në Bruksel, ku është takuar dhe zyrtarë të lartë të BE-së dhe me kryetarët e dy dhomave të Parlamentit të Belgjikës.

Osmani mbrëmë ka pasur takim me të dërguarin e posaçëm të BE-së Mirosllav Lajçak e më herët edhe me kryetarin e Parlamentit Evropian David Sasolli, si dhe Komisionarin e BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim Oliver Verhelyi.

Ndërkohë të martën, më 12 janar, Lajçak theksoi në një diskutim përmes videos me ambasadoren gjermane në Uashington, Emily Haber, se pozicioni i këtyre pesë vendeve mund të ndryshojë nëse arrihet një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë qëndrimit në Bruksel, u.d presidentit, Vjosa Osmani ka thënë se në takim, Lajçaku ka insistuar që Kosova mund të vazhdojë dialogun vetëm pasi të ketë një qeveri legjitime, e cila do të dalë nga zgjedhjet që do të zhvillohen me 14 shkurt.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian ka nisur më 2011. Ai u ndërpre për 20 muaj, nga fundi i vitit 2018 për shkak të taksës 100 për qind që Kosova vendosi ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnje- Hercegovinës, nga qeveria e udhëhequr në atë kohë nga Ramush Haradinaj.

Më pas, qeveria e ardhshme e Albin Kurtit e hoqi tarifën, por e vendosi masat e reciprocitetit. Serbia kundërshtonte të ulej në tryezë të bisedimeve, derisa Kosova kishte në fuqi masa të tilla.

Më ardhjen ne pushtet, qeveria e udhëhequr nga kryeministri, Avdullah Hoti shfuqizoi reciprocitetin, duke mundësuar rifillimin e dialogut në korrik të 2020-ës.

Ka disa muaj që kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç nuk kanë zhvilluar raunde të reja të bisedimeve. Nga BE-ja është thënë se takimet në nivel politik nuk po mbahen për shkak të pandemisë së koronavirusit. BE-ja ka thënë se ky proces ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit zyrtar.

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet