A do të kenë akses në e-albania ata që refuzojnë vaksinën? Rama flet për penalitetet: Ka fallxhore që…
Asnjë person që refuzon vaksinën nuk do të ketë pasoja administrative. Kjo ka qenë deklarata e bërë nga ana e kryeministrit Edi Rama në një komunikim me gazetarët, ku ka zbuluar se dozat e para të vaksinës që kanë mbërritur në Shqipëri janë 900 copë.
Rama tha se bërja e vaksinës është e këshillueshme, jo vetëm në aspektin personal, por edhe në atë të krijimit të imunitetit të gjerë të popullatës. Sa i takon dozave që kanë mbërritur sot në Shqipëri, nga një vend i BE-së që nuk u bë publik, Rama tha se injektimi i tyre do të nisë për punonjësit e spitalit Infektiv, ndërsa dhe vetë ai do të marrë dozën e parë.
“Vaksina nuk është e detyrueshme, kështu që nuk ka pasoja administrative për të gjithë ata që nuk duan të vaksinohen. Është e thjeshtë vaksina nuk është me detyrim, gjithkush vendos vetë, është e këshillueshme, është arma asgjesuese e Covid 19.
Patjetër që ka njerëz që kanë mendjen e tyre, ka çuna Facebooku që me diploma false rrinë në kafe, dhe i druhen Bill Gates që do ti marrë sekrete. Ka fallxhore që i besojnë lidhjes direkte me plotfuqishmin dhe e mendojnë vaksinën si lojë të djallit.
Vaksina nuk është thjesht e efektshme te individi, por është pjesë e përballimit të komunitetit, sepse me rritjen e imunitetit ulim shkallën e infektimit dhe shpërndarjes”, u shpreh Rama.