IGJEUM përsërit paralajmërimin për rrezik përmbytjeje/ Meta: Të merren masa urgjente

Aktualitet
IGJEUM përsërit paralajmërimin për rrezik përmbytjeje/

Presidenti Ilir Meta u ka bërë thirrje autoriteteve që të marrin masa pas paralajmërimit të IGJEUM për reshje me intensitet të lartë dhe përkeqësim potencial të situatës hidrometeorologjike në të gjithë territorin e vendit.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

"Prej ditësh, Instituti i Gjeoshkencës, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit ka dhënë paralajmërimin për një përkeqësim potencial të situatës hidrometeorologjike në të gjithë territorin e vendit, veçanërisht në ultësirën veriperëndimore, si dhe në zonat nga Shkodra në Fier. Ndërkohë, stacionet hidrologjike në Kaskadën e lumit Drin, bëjnë me dije se për shkak të intesitetit të reshjeve, priten shkarkime të mëdha nga HEC-et dhe për pasojë parashikohet të ketë përmbytje në zonën e Shkodrës.

Në këto kushte, i bëj thirrje Qeverisë, ministrive përgjegjëse, prefekturave dhe bashkive në zonat me rrezikshmëri të lartë përmbytjeje, të marrin në konsideratë këto paralajmërime serioze dhe të garantojnë urgjentisht: Informimin me transparencë dhe në kohën e duhur të popullatës, që jeton në zonat me rrezik potencial përmbytjeje, me qëllim garantimin e jetës dhe minimizimin e pasojave në prona e bagëti;

Garantimin me rezerva të mjaftueshme ushqimore për popullatën dhe blegtorinë; Vendosjen e hidrovoreve në regjim gatishmërie pune, me kapacitet të plotë; Vënien në gatishmëri të strukturave të koordinimit, menaxhimit dhe atyre operacionale, me qëllim marrjen e të gjitha masave parandaluese për minimizimin e riskut në zonat më të ekspozuara ndaj rrezikut; Gatishmërinë e strukturave operacionale, grupeve të kërkim-shpëtimit, mjeteve ajrore dhe mjeteve lundruese, për garantimin në çdo kohë të operacioneve efektive, në çdo zonë, që rrezikohet nga përmbytjet;

Marrjen e masave për kalueshmërinë normale në të gjitha akset rrugore, veçanërisht në Veri, Verilindje dhe Juglindje, që rrezikohen të bllokohen nga reshjet e dëborës dhe rrëshqitjet e dheut apo gurëve. Mbrojtja e shëndetit, jetës dhe pronës së çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë është një detyrim kushtetues, që duhet përmbushur me përgjegjshmëri maksimale", shkruan Meta.

ME TE LEXUARAT