Zbulohet shifra, ja sa doza të vaksinës antiCovid do të dhurojë qeveria shqiptare për Kosovën

Politikë
Zbulohet shifra, ja sa doza të vaksinës antiCovid do të

Gjatë javës së tretë të janarit, Shqipëria do të furnizohet me një kontingjent me vaksina anti-Covid.

Kryeministri Edi Rama ka premtuar se një pjesë të tyre do ta dërgojë në Kosovë, si ndihmë për mjekët. Express mëson se janë 1 mijë e 900 persona pjesë e stafit mjekësor në Kosovë të cilët do të vaksinohen.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Gazeta Express nga burime brenda Ministrisë së Shëndetësisë mëson se institucionet e Kosovës dhe ato të Shqipërisë tashmë kanë shkëmbyer informatat rreth numrit të mjekëve që do të marrin vaksinën anti-Covid në Kosovë.

“Tashmë kanë ndarë sasinë e nevojshme të vaksinës anti-Covid për mantelbardhët të cilët janë të inkuadruar drejtpërdrejtë në trajtimin e pacientëve me COVID-19 në Kosovë”, ka thënë ky burim.

Siç mëson Express, janë 1 mijë e 900 persona pjesë e stafit mjekësor të cilët do ta marrin vaksinën anti-Covid si ndihmë nga Shqipëria.

“Në tërë vendin, në kuadër të ShSKUK-së janë 1,900 mjekë që do të vaksinohen me këto vaksina që do të na vijnë si ndihmë”, thonë nga MSh.

Ndërkohë, se Shqipëria do t’i dhurojë Kosovës vaksina kundër koronavirusit e ka bërë të ditur vetë Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, para pak ditësh në një konferencë për media.

“Kosovës do t’i dhurojmë një sasi për vaksinimin e bluzave të bardha të spitalit COVID të Prishtinës, në mënyrë që heronjtë e vijës së zjarrit në Kosovë ta nisin vaksinimin në të njëjtën kohë me heronjtë tanë”, ka deklaruar Rama.

Dozat e para, gjithsej 10,750, do të mbërrijnë në Shqipëri “në fillim të javës së tretë të janarit”, tha Rama, ndërsa dozat e tjera “gjatë muajit shkurt”.

Vaksinimi kundër sëmundjes COVID-19 në vendet e Bashkimit Evropian ka nisur fundjavën e kaluar.

Ndërkohë, më 7 dhjetor Kosova ka aplikuar zyrtarisht në programin COVAX për sigurimin e vaksinës kundër COVID-19.

Në një intervistë për Express, Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, pati thënë se kjo aleancë ku bëjnë pjesë OBSH, UNICEF, Banka Botërore, fondacione të ndryshme, shoqëri civile dhe industria e vaksinave, ka listuar Kosovën në mesin e 92 vendeve që vaksinat për 20% të popullatës do t’i marrin falas.

ME TE LEXUARAT