Lajmi Fundit
Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqiperia, informacionet e fundit, lajmeshqip, lajmet, lajm nga vendi, lajme nga kosova, lajme rajoni, bota, live te fundit news 24

Pandemia gjunjëzoi botën në vitin 2020/ Ngjarjet kryesore në fokus

“Tani kemi një emër për sëmundjen: Covid-19. Unë do ta shkruaj: COVID-19 ” u shpreh Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në 11 Shkurt 2020. E gjithë Bota ndryshoi!

COVID-19, u regjistrua për herë të parë në WUHAN të Kinës në Dhjetor 2019, dhe u përhap duke shkaktuar pandeminë globale më të madhe që nga gripi spanjoll në1918.

Në konferencën e 11 shkurtit Tedros kërkoi ndërhyrje të menjëhershme por që fjala e tij nuk u dëgjua si duhet “Nëse investojmë tani në ndërhyrje racionale dhe të bazuara në prova, kemi një mundësi të madhe për të ndaluar këtë shpërthim. Ekzistojnë shumë mundësi”.

Shumë vende po përjetojnë valët e dyta ose të treta të COVID-19 ndërsa moti bëhet më i ftohtë. Bllokime, kufizime në jetën e përditshme dhe tejmbushje të spitaleve. Njerëzit duan rikthim në normalitet, në kohën kur përqafimi nuk ishte i ndaluar, kur dezinfektimi duarve nuk ishte kusht dhe kur mbajtja e maskës i përkiste vetëm mjekëve dhe jo të gjithë neve.

Për të parën herë sheshet më gumëzhitëse ne botë, ranë në heshtje për javë e muaj të tërë. Fluturimet u ndaluan,. Kulla Eiffel, Colesseo u zbrazën nga turistët dhe perëndimet e diellit nuk ishin më të njëjtat.

Njëjtë si në vitet 1920 pandemia ka sjellë shumë ndryshime. Vuajtjet nga COVID-19, padrejtësitë dhe rreziqet që ka zbuluar pandemia dhe ndryshimet e jashtëzakonshme teknologjike do të bëjnë që ky vit të mbahet mend si vendi që ndryshoi gjithçka.

Më shumë se 80 milion persona janë prekur nga COVID-19 dhe me shumë mundësi numri është më I lartë për shkak të mungesës së testimeve ndërkohë që janë të shënuar rreth 1.8 milion viktima. Prodhimi ekonomik botëror ka rënë të paktën më 7%, rënia më e madhe që nga lufta e dytë botërore. Papunësia u rrit ndjeshëm me vende të cilët në muajt e parë të shtetrrethimit pati rritje të saj deri në 16%. Shumë persona vuajnë nga depresioni dhe ka pasur një rritje të konsiderueshme të rasteve të vetëvrasjeve apo mendimeve për tu vetëvrarë.

Në Japoni për shembull ka pasur një rritje 20% të rasteve të vetëvrasjeve dhe vendet me të ardhura të pakta janë më të kërcënuara se ato të pasurat. Megjithatë nga hiri i gjithë asaj vuajtje do të dalë ndjenja se jeta nuk duhet thjesht të ruhet, por të jetohet.

Shtetrrethimet na dhanë mundësinë të shijojmë qiejt e pastër blu, pa smogun dhe ndotjen e përditshme duke kthyer edhe njëherë vëmendjen tek ndryshimet klimaterike, kostoja e së cilës njëjtë si pandemia do të jetë shumë më e kushtueshme për tu trajtuar në të ardhmen nëse neglizhohet tani.

Pandemia nxori në pah padrejtësitë. Fëmijët kanë mbetur prapa në mësimet e tyre dhe shpesh kanë mbetur të uritur. Njerëzit e të gjitha moshave kanë duruar vetminë ose dhunën në shtëpi. Punëtorët emigrantë janë dëbuar ose dërguar përsëri në fshatrat e tyre, duke marrë sëmundjen me vete. Vuajtjet janë anuar nga raca.

Kjo pandemi ka shërbyer edhe si një motor i inovacionit. Për të parën herë shkencëtarët ishin të aftë që brenda pak muajve të krijonin një vaksinë efektive ndaj virusit, ndërkohë që më parë duheshin vite deri diku edhe dekada. Aktualisht dy nga vaksinat kanë marrë aprovimin e agjencive evropiane dhe amerikane të barnave dhe në një pjesë të shteteve ka filluar vaksinimi i grupeve të rrezikuara, ku e para ishte Mbretëria e Bashkuar me vaksinën e Pfizer dhe Biontech. E veçanta e këtyre vaksinave është se u krijuan duke përdorur sekuencën e materialit gjenetik të koronavirusit të ri, përkatësisht acidin ribonukleik (ARN), përcjellësi molekular që përmban udhëzimet për ndërtimin e proteinave të virusit.

Tregtia elektronike si një pjesë e shitjeve me pakicë u rrit aq shumë në tetë javë sa ishte në pesë vitet e mëparshme. Bizneset filluan të drejtoheshin nga dhoma rezervë dhe tavolina kuzhine – një eksperiment që përndryshe do të duhej të zhvillohej me vite.

Një Krishtlindje dhe Vit të Ri pa të dashurit tanë. Por ky vit ma mësoi se dashuria në fakt më shumë se çdo gjë është përkujdesje për shëndetin dhe mirëqenien e tjetrit.

Dhe njëjtë siç bëri Warrem Harding pas fushatës presidenciale në vitin 1920 me platformën e tij të rikthimit në normalitet, në 1920 edhe ne të marrim mësimet e duhura nga ky vit dhe të ecim me hapa të sigurte drejt të ardhmes, por me shumë më shumë mësime.

Zgjedhjet në SHBA

Zgjedhjet presidenciale të 3 Nëntorit në SHBA, i dhanë vendit presidentin më të vjetër dhe zëvendës presidenten e parë grua në histori. Më 20 Janar JoeBiden do të marrë mandatin si presidenti i 46 i SHBA, ku do të qeverisë sipas tij në shërbim të popullit dhe jo vetëm elektoratit demokrat.

“Zotohem të jem një president që nuk kërkon të ndajë, por të bashkojë. President qe nuk sheh shtete të kuqe dhe shtete blu, por vetëm Shtete të Bashkuara. Unë e kërkova këtë post për të rikthyer shpirtin e Amerikës dhe për ta bërë Amerikën të respektuar përsëri në botë”,tha Biden në fjalimin e tij të parë pas zgjedhjeve duke dhënë një shembull të kundërt me presidentin në largim i cili bëri të pamundurën që të mos largohej nga Zyra Ovale.

Por ndryshe nga fryma bashkëpunuese e shfaqur nga presidenti i zgjedhur zgjedhjet e 3 Nëntorit u zhvilluan në një klimë tejet të tensionuar. Me akuza të ndërsjella, platforma totalisht të kundërta dhe për të parën herë me akuza për mashtrim zgjedhor, akuza të cilat vazhdojnë ende edhe pse na ndajnë vetëm pak ditë nga ardhja e Biden në krye të shtetit.

Debati i parë presidencial ishte edhe sinjali i parë i fuqishëm në lidhje me atë çfarë do të shoqëronte gjithë fushatën, akuza dhe prerje fjale të stilit alla shqiptarçe, akuza në nivel personal dhe jo programor ashtu siç natyrshëm pritej.

Përplasjen më të madhe Biden dhe Trump e kishin sa i përket pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, një kohë që Biden akuzonte për mosmenaxhim të duhur të situatës Trump ngulte këmbë se kundërshtari i tij do të fusë Amerikën në shtetrrethim po erdhi në pushtet.

Në një kohë që kandidati demokrat bënte thirrje për respektimin e masave kufizuese, mbajtjen e maskave për të shmangur një shkallë në rritje të infeksioneve, presidenti Trump infektohet me COVID-19 , duke u bërë shkas për një valë të gjerë infeksionesh në Shtëpinë e Bardhë dhe I cili çoi edhe në anulimin e debatit të dytë presidencial.

Trump “Ne nuk mund ta mbyllim veten në Bodrum siç bën Joe. Ai ka aftësitë të mbyllë veten. Ai ka shumë para që i ka kursyer në disa forma të diskutueshme, por njerëzit nuk mund ta bëjnë këtë gjë. Unë si president i SHBA nuk mund ta bëja këtë”

Një tjetër temë që u përplasën dy ish kandidatët ka qenë racizmi në vend, Ku Biden e ka akuzuar jo rrallëherë Trump si nxitës racizmi.

Biden “Abraham Lincoln prezent këtu sot është presidenti më racist që ka pasur vendi”.

Zgjedhjet presidenciale të 3 Nëntorit, do të hyjnë në histori për pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të votuesve, të cilët sollën në pushtet edhe presidentin më të votuar në historinë e vendit dhe prodhuan polemikat më të mëdha, deri në masën që të diskutohej sistemi elektoral i pandryshuar prej shekujsh. Të ndikuar nga pandemia një pjesë e madhe e amerikanëve zgjodhën të hedhin votat e tyre nëpërmjet postës, duke u bërë shkak edhe për pretendimet e Trump për manipulim votash. Mbi këtë bazë presidenti në largim Donald Trump, ka ngritur dhjetëra padi në gjykatat e shteteve dhe atë supreme por të gjitha ato janë hedhur poshtë për mungesë faktesh. Akuzat e Trump do të mbahen mend si një goditje e fuqishme ndaj demokracisë më të konsoliduar në botë.

Ndërkohë që Shtëpia e Bardhë po bëhet gati të presë Joe Biden dhe zëdhënësen e tij indiano-amerikane Kamala Harris dhe ekipin e tyre të përzgjedhur ende pritet më kërshëri ajo çfarë do të bëjë presidenti në largim Trump, a do të jetë ai pjesë e ceremonisë së inaugurimit, a do ta pranojë humbjen apo do të vazhdojë me betejën e tij, tanimë vetëm në rrjetet sociale.

Black Lives Matter

Protestat padyshim kanë qenë karakterizuese për vitin 2020 në veçanti ato të Lëvizjes Black Lives Matter, pas vdekjes së afro-amerikanit, George Floyd, kur polici i bardhë Derek Chauvin, e mbajti gjurin mbi qafën e tij për 8 minuta dhe 46 sekonda.

Protestat e fundit për mbrojtjen e jetëve me ngjyrë, arritën pikun në 6 qershor kur gjysmë milioni njerëz dolën në gati 550 vende në të gjithë Shtetet e Bashkuara dhe ajo ishte vetëm një ditë nga protestat që vazhdojnë prej më shumë se një muaj.

Në bazë të të dhënave Civis Analytics, tregojnë se nga 15 deri në 26 milion njerëz në Shtetet e Bashkuara kanë marrë pjesë në demonstrata mbi vdekjen e George Floyd dhe të tjerëve në javët e fundit. Këto shifra do t’i bënin protestat e fundit lëvizjen më të madhe në historinë e vendit, sipas intervistave me studiues dhe ekspertë të numërimit të turmave.

Sipas sondazhit të Civis Analytics, lëvizja ka tërhequr protestues që janë më të rinj dhe më të pasur. Grupmosha me pjesën më të madhe të protestuesve ishin personat nën 35 vjeç dhe grupi i të ardhurave me pjesën më të madhe të protestuesve ishin ata që fitonin më shumë se 150,000 dollarë.

Përveç protestave në SHBA, lëvizja organizoi protesta të shumta në të gjitha kryeqytetet në mbarë botën, në mbështetje të jetës së qytetarëve me ngjyrë dhe barazi racore, në një botë e cila reklamon barazi dhe drejtësi. Vdekja e George Floyd e ktheu dhe njëherë vëmendjen tek të drejtat racore në SHBA, të cilat që prej protestave të Marthin Luther King kishin rënë në heshtje, por shprehja e tij” I have a dream “ mbetet ende e kohës.

Protesta në Bjellorusi

E kur flasim për protesta ajo që është ngulur në mendjen e të gjithëve është lufta e popullit bjellorus për të rrëzuar nga pushteti Aleksandër Lukashenkon, presidentin autoritar që drejton vendin prej më shumë se 26 vitesh. Një lëvizje që të kthen pas në kohë, në lëvizjet studentore në vitet 90 për rrëzimet e regjimeve komuniste, tanimë në një përpjekje të vazhdueshme prej 9 gushtit për të rrëzuar diktatorin e fundit autoritar të Evropës.

Të rinj dhe të moshuar në rrugicat dikur të heshtura të Minskit brohorasin me krenari në kërkim të lirisë së munguar. Ata të gjithë kanë një kërkesë të vetme largimin e Lukashenkos dhe mbajtjes së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, pasi ato të 9 gushtit u manipuluan nga qeveria në pushtet. Për të realizuar qëllimin e tyre ata kanë protestuar me muaj me radhe në të ashtuquajturin : Solidaritet për paqe dhe Pavarësi, edhe pse ende qëllimi i tyre ende nuk është arritur ata nuk heqin dorë.

Siç na tregonte edhe Sergey Valitskiy, profesori bjellorus i cili zgjodhi të ishte në krah të rinisë pavarësisht moshës së thyer.

“Por ka ende shpresë, sepse njerëzit nuk do të ndalojnë kurrë, ata janë të vendosur deri në fund, deri në fitore, deri në momentin kur të zhvillohen zgjedhje të drejta dhe të ndershme, të cilat do të jenë dëshmitare e vullnetit të popullit, “shprehet ai.

Svetlana Tikhanovskaya, ish- kandidatja e opozitës për presidenti që nga gushti tanimë gjendet në Lituani nga ku për asnjë moment nuk ka hequr dorë nga kërkesat e saj për sanksione na Lukashenkos dhe ndërhyrje të ndërkombëtareve për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Njëjtë si liderja e opozitës janë larguar nga vendi ose mund të jenë burgosur e përndjekur si Maria Kolesnikova.

Pavarësisht sanksioneve të vendosura nga BE dhe SHBA ndaj regjimit të Lukashenkos dhe zyrtarëve të tij kyç situata nuk ka ndryshuar. Protestat vazhdojnë e në të njëjtën kohë me të vazhdojnë edhe arrestimet dhe torturimet e protestuesve, ndërkohë që ata vuajnë edhe nga mungesa dhe shkëputjet e vazhdueshme të internetit.

Nuk dihet ende se cili do të jetë rezultati përfundimtar por qytetarët bjellorus duket se kanë zgjedhur flamurin në ngjyrat bardhë – kuq – bardhë, simbol për një periudhë të shkurtër në vitet para atij që kanë si president të cilin se njohin dhe madje nuk kanë nguruar ta quajnë as mi.

Ekstremizmi islamik në Francë

Në 16 tetor 2020 një mësuesi francez Samuel Patty-s iu pre fytin nga një 18 vjeçar ekstremist çeçen, pasi mësuesi u kishte treguar nxënësve të tij një karikaturë të profetit Muhamed, të revistës satirike Charlie Hebdo.

Pas aktit të paktën 11 persona u arrestuan, mes tyre edhe disa nxënës të mësuesit të ndjerë , të cilët i kishin treguar vendndodhjen dhe përshkrimin e mësuesit vrasësit dhe vrasja e tij shkaktoi një valë të madhe protestash në vend nën moton”Je suis Samuel Paty”. Ndërkohë që presidenti francez u shpreh i bindur se ekstremistët nuk do të fitojnë kurrë dhe për këtë qeveria do të ishte e gatshme të merrte masa.

Pas vrasjes makabre në Paris, një tjetër sulm brutal ndodhi në Nice, e cila shkaktoi vrasjen fatale të dy grave dhe një burri në Bazilikën e Notre Dame de l’Assuction. Njërës prej grave iu pre koka. Policia arrestoi sulmuesin, i cili mbetet në spital me plagë me armë zjarri.

Qeveria franceze në përpjekje për të vënë nën kontroll radikalizmin fetar, e kaloi në parlament një projektligj të ri, i quajtur” ligj i lirisë”. Ndërkohë që 76 xhami u janë nënshtruar inspektimeve dhe një pjesë e madhe e tyre rrezikojnë të mbyllen.

Presidenti francez, Emmanuel Macron ka thënë se legjislacioni do të shtrëngonte rregullat për çështje që variojnë nga arsimimi i bazuar në fe deri te poligamia.

Në 2 Nëntor edhe Austria është goditur nga sulmet terroriste, ku humbën jetën 4 persona dhe shtatëmbëdhjetë u plagosën rëndë. Vrasësi i cili mbeti i vrarë nga policia ishte një shqiptar me origjinë nga Maqedonia e Veriut Kujtim Fejzullahu, i cili ishte pjesë e grupi ISIS dhe madje kishte tentuar të shkonte edhe në SIRI. Pas sulmit u arrestuan edhe 12 bashkëpunëtorë të tij, disa prej tyre me origjinë nga trevat shqiptare. Tre nga policët që luftuan me terroristët ishin shqiptarë nga Kosova.

Ekstremizmi islamik ka sjellë edhe njëherë në vëmendje domosdoshmërinë e ndërhyrjes imediate për të mbrojtur jetën e qytetarëve të pafajshëm.

Konflikti në Nargorno-Karabakh

Pas pothuajse 30 vitesh qetësi dhe eventeve sporadike të dhunës, më 27 shtator shpërtheu edhe njëherë konflikti në Nagorno –Karabakh, rajonin e diskutuar mes Armenisë dhe Azerbajxhanit. Luftimet deri më 10 Nëntor kur u arrit edhe armëpushimi i ndërmjetësuar nga ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov dhe të dy palët në konflikt.

Sipas marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Rusia, Azerbajxhani do të marrë nën kontroll të shtatë qarqet, si dhe territoret që forcat azerbajxhanase kanë arritur të marrin në luftimet që nisën në 27 shtator. Marrëveshja e armëpushimit sponsorizuar nga Moska, në nëntor, i dha Azerbajxhanit fitimet territoriale dhe lejoi që rreth 2.000 paqeruajtës rusë të vendosen në rajon.

Në Armeni pati protesta të shumta. Mijëra protestues u mblodhën në Jerevan të Armenisë, duke i kërkuar kryeministrit Nikol Pashinian të japë dorëheqje lidhur me marrëveshjen e armëpushimit.

Për më shumë se gjashtë javë, Azerbajxhani dhe Armenia bënë një luftë të përgjakshme, por disa detaje dolën nga shkalla e vërtetë e viktimave ushtarake.

Gjatë konfliktit të fundit humbën jetën të paktën 5000 ushtarë, 2,425 ushtarë të vdekur në kampin armen dhe 2,783 në kampin azere, ndërkohë që janë regjistruar të paktën 143 civilë dhe me dhjetëra mijëra të tjerë u zhvendosën nga luftimet.

Rajoni i Nagorno-Karabakut njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, mirëpo armenët etnikë përbënin pjesën më të madhe të popullsisë atje dhe refuzonin rregullin azerbajxhanas.

Ata kanë udhëhequr çështjet e tyre vetë, me mbështetje të Armenisë, prej kur trupat e Azerbajxhanit dhe civilët etnikë të këtij shteti janë larguar nga rajoni, në luftën që ka përfunduar me armëpushim më 1994.

Tërmetet në Turqi

Viti 2020 ka qenë tejet i vështirë për Turqinë e cila brenda intervalit 10 mujor përjetoi 2 tërmetet të rënda, i pari goditi vendin në 24 Janar 2020 në Sivrice të Elazig, në të cilin humbën jetën 41 persona ndërsa u lënduan 1607 persona. Ndërkohë që 45 persona arritën të shpëtohen të gjallë nën rrënoja dhe u shemben 76 godina duke lënën mijëra të pastrehë.

Ende pa e marrë vetën nga tërmeti i parë Turqinë e goditi një tërmet i dytë, tanimë në qytetin bregdetar Izmir. Mesditën e 30 Tetorit vendi u godit nga një tërmet 6.9 ballësh, 114 persona humbën jetën, 1035 u lënduan dhe mijëra të tjerë ngelën të pastrehë.

Ndërkohë që gjatë kësaj kohe u bëmë dëshmitarë të shpëtimit të mrekullueshme të dy vogëlusheve nga nën rrënojat Elif Perincek, pas 65 orësh u nxor shëndosh nga rrënoja dhe Ayda Gezgin pas 91 orësh, duke na dhënë të gjithëve një shembull sesi dëshira për jetë mund të mposhtë çdo madje edhe vdekjen.

Tensionet në Mesdhe

Marrëdhëniet Greqi Turqi janë tensionuar dukshëm muajt e fundit veçanërisht pas nisjes së misionit kërkimor të anijes turke” Oruç Reis” në Mesdheun Lindor në 10 gusht, zona të cilat konsiderohen pjesë e vijës detare greke. Gjë e cila nuk pranohet nga Turqia.

Mosmarrëveshja territoriale midis Turqisë, Greqisë dhe ishullit të ndarë të Qipros ka ‘djegur’ qetësinë rajonale për vite me radhë. Por “burimet e gazit natyror në det të hapur tani duket se kanë ndryshuar gjithçka në Mesdheun Lindor” – ka thënë Michael Tanchum, kreu i Institutit Austriak për Studime Evropiane dhe të Sigurisë. Edhe pse u shpresua se Turqia do të hiqte dorë nga pretendimet e saj në Mesdhe, pas gjetjes së burimeve të naftës në Detin e Zi, por presidenti turk duket se nuk e ka ndërmend të heqë dorë.

Zona e diskutueshme është e lidhur edhe me pretendimet territoriale të Qipros. Ishulli mbetet i ndarë mes Greqisë dhe Turqisë. Republika e Qipros ka dhënë licenca për shfrytëzimin e rezervave të gazit gjigantëve ndërkombëtare, si ‘ENI’ italian dhe ‘France Total’.

Ajo që ra në sy gjatë gjithë kësaj kohe ishte kërkesa e vazhdueshme e qeverisë greke nga BE, për të ndërhyrë dhe insistimi i Turqisë për ta quajtur atë fëmija i llastuar i Evropës. BE nuk i vendosi sanksioni Turqisë,

Kriza e emigrantëve

Në 2020, një çështje nuk ka gjetur ende zgjidhje, çështja e emigrantëve, mijëra humbën jetën në ujërat e deteve evropianë, mijëra ngelën me ditë të tëra në kufirin greko turk, me shpresën që Greqia do të hapë dyert e Evropës për ta të nxitur edhe nga politika turke, e lodhur sipas saj tanimë duke mbajtur barrën e BE, mijëra ngelën të pastrehë, në qiell të hapur pas rënies së zjarrit në kampin e emigrantëve në Lesbos, mijëra të tjerë ngelën të pastrehë në Francë kur iu prishen kampet, e ndërsa të tjerë humbën jetën të asfiksuar në kamionët që i transportonin drejt një ëndrre që nuk u bë realitetet kurrë.

 

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet