Presidenti i SHBA, Donald Trump dhe Zonja e Parë, Melania ndryshuan papritur planin e tyre për të kaluar natën e Vitit të Ri në Uashington, pavarësisht festës së planifikuar në Florida.
Të dy do të largohen sot nga Florida, sipas një programi të përditësuar ditor të botuar nga Shtëpia e Bardhë.
”Prandaj Trump nuk do të jetë i pranishëm në festën e Vitit të Ri në vendpushimin e tij në Mar-a-Lago, në të cilin të ftuarit kishin blerë bileta”, raportuan mediet amerikane.
Shtëpia e Bardhë nuk dha një arsye për këtë largim.
Trump ka refuzuar të pranojë fitoren në zgjedhje të kundërshtarit të tij Demokrat, Joe Biden, dhe ka ngritur dhjetëra padi që përpiqen të përmbysin rezultatet e zgjedhjeve, me pothuajse të gjitha duke u refuzuar.
Të gjithë sytë janë drejtuar tani drejt datës 6 janar, kur Kongresi është vendosur të certifikojë rezultatet e Kolegjit Zgjedhor të paraqitura nga shtetet, hapi i fundit në rrugën e Biden për të bërë betimin si presidenti i 46-të më 20 janar, në ndërtesën e Capitol Hill, në Uashington.