Lajmi Fundit
Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqiperia, informacionet e fundit, lajmeshqip, lajmet, lajm nga vendi, lajme nga kosova, lajme rajoni, bota, live te fundit news 24

Reformat e kuadrit ligjor për migracionin në 2020 në Greqi

Viti më i vështirë i epokës tonë moderne është tashmë drejt perëndimit! Megjithëse të gjithë do ta kujtojmë për pandeminë e frikshme që thuajse ngriu njerëzimin, me lockdown të vazhdueshme dhe një formë të re funksionimi global, nuk duhet të anashkalojmë dhe sa u arritën, ndryshuan apo u realizuan këtë vit. Në këtë prizëm, komuniteti shqiptar në Greqi, si dhe të gjithë sa në njëfarë mënyre apo tjetrën kanë lidhje me Greqinë, apo akoma edhe sa dëshirojnë të studiojnë apo vizitojnë vendin fqinj, përfitojnë mjaft nga të rejat në sferën e legalizimit, procedurave ligjore të integrimit si dhe lehtësirave për të vizituar apo studiuar, gjithmonë me shpresën se situata do të normalizohet për zbatimin tërësor të tyre dhe covid-19 nga Viti i Ri do të shndërrohet në një kujtim i hidhur!

Viza studentore për mosha e kategori të ndryshme

Procedurë “fast track” për vizën studentore “Student Visa” për të interesuarit në programet studimore të larta, akoma dhe gjatë muajve të verës, ka përgatitur këtë fundviti (16 dhjetor) ministria e Jashtme e Greqisë. Me inisiativën e zv.ministrit të Jashtëm, Miltiadhis Varviciotis, në bashkëpunim me ministrinë e Emigracionit dhe ministrinë e Arsimit të Greqisë, reforma ligjore është miratuar në parlamentin grek javët e fundit të dhjetorit, si një vijim i “Business Visa” (në fuqi vitet e fundit për investime) për zgjimin dhe rritjen e interesit si për investime ashtu edhe për studime në Greqi.

Konkretisht, për studentët në auditoret e larta të vendeve të treta (ku përfshihet Shqipëria) ofrohet mundësia e vizës fast track me afat 7 muaj, në ambasadën ose konsullatën përkatëse greke, pa qenë të detyruar të pajisen me leje qëndrimi pas plotësimit të 7-mujorit në Greqi. Kushtet janë të interesuarit të kenë plotësuar moshën 18-vjeçe dhe të mos ushtrojnë aktivitet të pafvarur apo të punësohen gjatë kësaj periudhe.

Paralelisht, me të njëjtën procedurë të lehtësuar do të lejohet hyrja në vend deri në 12 muaj për shtetas të vendeve të treta, të punësuar në biznese ose të vendeve përkatëse ose në vende anëtare të BE-së, të cilët ndjekin studimet e larta në një kolegj të njohur nga shteti përkatës. Për këtë kategori do të lejohen studimet 12 mujore me certifikim (validation) ose franchising për certifikim të posaçëm, do të kenë të drejtën të sjellin edhe familjen me të njëjtën vizë, por nuk do t’ju lejohet punësimi apo ushtrimi i aktivitetit privat.

Pajisuni me dokumentat e domosdoshëm me një “klik”

Gati platforma novatore për shërbimin e emigrantëve shqiptarë që jetojnë prej vitesh në Greqi. Të interesuarit mund të klikojnë për printimin e vërtetimit të shtyrjes së lejes së qëndrimit në:

https://migration.gov.gr/ilektronika-i-vevaiosi-paratasis-ischyos-adeion-diamonis/

Sekretaria e Politikës për Emigracionin në Greqi ka informuar vetëm orë para mbylljes së vitit 2020 se në lockdown e dytë, që u shoqërua nga një fushatë shtyrjes së dytë të afateve të skadimit të lejeve të qëndrimit, ka përgatitur dhe një plaftormë që lehtëson akoma më tepër procedurat rutinë të përditshme për këtë kategori qytetarësh.

Pas mbylljes së takimeve për aplikimin e rinovimit të lejeve të qëndrimit në formë elektronike, duke shmangur radhët e gjata dhe stërmundimin shumëvjeçar, me një “klik” emigrantët disponues të lejeve të qëndrimit që skadonin deri në fund të vitit e tashmë kanë marrë shtyrje 8-mujore, do të pajisen me një vërtetim të posaçëm.

Madje, në deklaratën përkatëse, ministria e Emigracionit të Greqisë bën të ditur se objektiva finale është dixhitalizimi i gjithë procesit të aplikimit dhe pajisjes me lejen e qëndrimit për emigrantët.

Me vërtetimin përkatës mund të pajisen këto kategori emigrantësh:

Sa disponojnë leje qëndrimi bazuar në ligjet dhe vendimet 4251/2014 (A΄ 80) /106/2007 (A΄ 135) dhe skadonin 1 janar 2020-31 korrik 2020 janë shtyrë deri në 31 maj 2021.

Sa disponojnë leje qëndrimi me të njëjtat ligje-vendime dhe skadonin nga 1 gusht 2020 deri në 31 mars 2021 marrin shtyrje automatike 8-mujore nga data fillestare e skadimit.

Për t’u bërë pjesë e epokës dixhitale të ministrisë së Emigracionit të Greqisë, regjistrohuni në platformën https://applications.migration.gov.gr/metanasteusi)

Para çdo hapi, lexoni me kujdes udhëzimet përkatëse në link:

https://portal.immigration.gov.gr/docs/taskhelp/user_auth.register

Reformat përshpejtojnë marrjen e shtetësisë greke

Sekretari i Përgjithshëm për Nënshtetësinë e ministrisë së Brendshme greke, A. Balerbas, ka theksuar se po bëhen përpjekje të shumta për të shmangur burokracinë dhe përshpejtuar procedurën e shtetësisë greke për të huajt që plotësojnë kriteret ligjore.

Konkretisht, nga 1 shkurt deri në 31 mars do të funksionojë platforma e aplikimit për provimin e gjuhës, kulturës dhe historisë greke, kusht i domosdoshëm për marrjen e shtetësisë, sipas kushtetutës së vendit.

Në të njëjtën platformë të interesuarit do të informohen dhe për lëndën e provimit, përmes “depozitës së temave”. Provimet për kualifikimin e domosdoshëm do të zhvillohen dy herë në vit, në maj dhe nëntor. Për mënyrën e saktë të realizimit pritet informacion i mëtejshëm.

Gjithashtu, sekretari i shërbimit të Nënshtetësisë ka theksuar se procedurat nuk kanë ngrirë, por vonesat e zakonshme do të ndjehen edhe pak kohë, për shkak të situatës së krijuar edhe nga pandemia. Dosja elektronike është një hap drejt lehtësimit e përshpejtimit, ndërkohë që me reformën e re provimit të gjuhës dhe kulturës i shmangen të gjithë sa kanë mbaruar shkollën 9-vjeçare, liceun apo universitetin në Greqi, që gjithashtu hyn në fuqi nga muaji prill 2021. Në 1 janar miratohet dhe dekreti për kriteret e reja ekonomike për pajisjen me shtetësi greke, që hyn në fuqi po në muajin prill 2021.

Në përgjithësi, procedura e pajisjes me shtetësinë greke është tepër burokratike, zgjat shumë kohë dhe dokumentat e kërkuara janë të shumta, megjithë reformat e vazhdueshme ligjore dhe inisiativat e ndryshme politike.

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet