Lajmi Fundit
Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqiperia, informacionet e fundit, lajmeshqip, lajmet, lajm nga vendi, lajme nga kosova, lajme rajoni, bota, live te fundit news 24

Mesazhi i Presidentit Meta për Vitin e Ri 2021: Të përpiqemi të ringremë ekonominë kombëtare

Presidenti Ilir Meta ka uruar të gjithë shqiptarë me rastin e ndërrimit të viteve duke kujtuar vështirësitë me të cilën u përballën të gjithë gjatë 2020.

Në mesazhin e tij, Meta shpreh mirënjohje për mjekët e infermierët, ndërsa shprehet se të gjithë bashkë duhet të ringremë ekonominë kombëtare, t’u krijojmë të rinjve mundësi të reja dhe punë, për të rimarrë në dorë fatet tona me dinjitetin e liritë e merituara, për të rikthyer shpresën dhe besimin.

Mesazh urimi i Presidentit Meta me rastin e Vitit të Ri 2021

31 dhjetor 2020

Të dashur bashkëkombës, Viti që lamë pas, na përballi me një nga sfidat më të vështira për mbarë botën. Pandemia COVID-19 tronditi jetët tona në shumë aspekte.

Shumë prej nesh humbën më të dashurit, pa mundur edhe t’u japin lamtumirën e fundit; të tjerë ia dolën me sakrifica të jashtëzakonshme.

Mirënjohje të pakufishme për mjekët, infermierët dhe të gjithë ata, që gjenden edhe sot, në vijën e parë të luftës kundër kësaj pandemie.

Në veçanti, ky është çasti për të bërë një homazh për mantelbardhët tanë të paharruar, të cilët dhanë jetën në krye të detyrës.

Përkushtimi, humanizmi dhe kujtimi i tyre le të na frymëzojë për më shumë solidaritet, bashkëpunim, përulësi, dhembshuri dhe dashuri për njëri-tjetrin.

Le të bashkohemi dhe të punojmë më shumë, duke u ardhur në ndihmë veçanërisht njerëzve që kanë më shumë nevojë.

Të përpiqemi me të gjitha forcat të ringremë ekonominë kombëtare, t’u krijojmë të rinjve mundësi të reja dhe punë, për të rimarrë në dorë fatet tona me dinjitetin e liritë e merituara, për të rikthyer shpresën dhe besimin.

Vitaliteti i jashtëzakonshëm dhe dashuria për familjen dhe Atdheun e kanë mbajtur gjallë kombin tonë dhe do t’i japin Shqipërisë sonë të dashur edhe të ardhmen e ndritur europiane që meriton.

Të dashur shqiptarë kudo që ndodheni, Ju uroj nga zemra, një Vit të Ri të shëndetshëm, të lumtur dhe të begatë.

Gëzuar!

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet