Meta dekoron Gjergj Fishtën në 80-vjetorin e vdekjes: Skaliti në përjetësi vlerat autoktone

Aktualitet

Presidenti Ilir Meta ka çmuar me Dekoratën e Flamurit Kombëtar At Gjergj Fishtën, me rastin e 80-vjetorit të ndarjes nga jeta.

Kreu i shtetit nënvizoi se përmes veprave të tij të çmuara artistike, ai shpalosi botërisht dhe skaliti në përjetësi vlerat dhe virtytet e veçanta autoktone, si dhe përpjekjet e pareshtura të kombit shqiptar për liri, mbrojtje të trojeve shqiptare dhe të sovranitetit të vendit.

“Me rastin e 80-Vjetorit të ndarjes nga jeta, në vlerësim të veprës atdhetare dhe të rolit të jashtëzakonshëm në fushat e gjuhës dhe të letërsisë shqipe, arsimit e kulturës, diplomacisë, politikës e teologjisë, si dhe për meritat e Tij historike në krijimin e alfabetit shqip dhe në proceset shtetformuese, kam sot nderin e veçantë të çmoj me Dekoratën më të lartë në Republikën e Shqipërisë, At Gjergj Fishtën, atdhetarin, historianin, gjuhëtarin e madh, diplomatin dhe iluministin e shquar, për të cilin interesat kombëtare ishin po aq të shenjta, sa vetë besimi që i përkiste. Nëpërmjet veprave të Tij të çmuara artistike, ai ngriti lart, shpalosi botërisht dhe skaliti në përjetësi vlerat dhe virtytet e veçanta autoktone, si dhe përpjekjet e parreshtura të kombit shqiptar për liri, mbrojtje të trojeve shqiptare dhe të sovranitetit të vendit.”

Meta pohoi mes të tjerash se vepra e tij e vyer do ta ndriçojë përherë kombin tonë për të tejkaluar çdo sprovë në mbrojtje të pavarësisë, lirisë, demokracisë dhe së ardhmen europiane.

ME TE LEXUARAT