Lajmi Fundit
Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqiperia, informacionet e fundit, lajmeshqip, lajmet, lajm nga vendi, lajme nga kosova, lajme rajoni, bota, live te fundit news 24

Misioni paqeruajtës i Armenisë me Azerbajxhanin siguron ndikimin rus në Kaukazin e Jugut

Ndërsa afron fundi i vitit, Rusia po merr një rol të ri, atë të paqeruajtësit në konfliktin 10 vjeçar mes ish republikave sovjetike, Armenisë dhe Azerbajxhanit, lidhur me enklavën e diskutueshme të Nagorno Karabakut. Siç njofton nga Moska korrespondenti i Zërit të Amerikës, Charles Maynes, ka të ngjarë që Rusia të mbetet për momentin fuqia kryesore e ndikimit në rajonin e Kaukazit të Jugut.

Në vetëm gjashtë javë luftime, Azerbajxhani vendosi në pozitë të vështirë forcat etnike të Armenisë në Nagorno Karabak, të mbështetura nga një arsenal dronësh i teknologjisë së lartë dhe pajisje ushtarake që ndryshuan mënyrën e luftimit në Kaukazin e Jugut.

“Gjatë 20 viteve të fundit buxheti ushtarak i Azerbajxhanit është trefishuar në krahasim me atë të Armenisë. Një pjesë e madhe e armëve janë blerë me këto para. Armë të blera jo vetëm nga Rusia, por edhe Izraeli dhe Turqia”, thotë Alexander Golts, analist.

Një marrëveshje e paqes e ndërmjetësuar nga Presidenti rus Vladimis Putin pasqyroi ndryshimet në dinamikën e forcave dhe rolin e Turqisë në veçanti për palën e Azerbajxhanit.

Marrëveshja e mbështetur nga Rusia, për aleatin e vogël të Moskës, Armeninë, nënkupton humbje të territoreve në Nagorno Karabak.

Ky rezultat nxiti festimet për fitore në Azerbajxhan dhe një krizë qeveritare në kryeqytetin e Armenisë.

“Është e qartë se ky ekip ka diskredituar veten. Unë mendoj se kjo qeveri ëndërron të japë dorëheqje, sepse këta njerëz e kanë kuptuar se nuk mund të ecin lirshëm rrugëve të Jerevanit”, thotë Karine Gevorgyan, analiste.

Sipas kushteve të armëpushimit, dy mijë paqeruajtës rusë do të vendosen në Nagorno-Karabak për 5 vitet e ardhshme, me qëllim të pengimit të përparimeve të mëtejshme të Azerbajxhanit dhe mbrojtjen e armenëve që zgjedhin të qëndrojnë.

“Sipas marrëveshjes, misioni mund të zgjatet. Unë mendoj se opsioni më i mirë është ngrirja afatgjate e konfliktit ashtu siç ndodhi në luftimet mbi Qipron”, thotë Alexander Golts, analist.

Me fjalë të tjera, një konflikt i ngrirë që ripërcakton kufijtë.

Është një situatë që siguron ndikimin rus mbi Kaukazin e Jugut ndërsa e ardhmja e Nagorno Karabakut është vështirë të parashikohet.

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet