Hetimet për shpërthimin në SHBA përqëndrohen tek një 63-vjeçar

Bota
Hetimet për shpërthimin në SHBA përqëndrohen tek

Agjentët federalë që po hetojnë mbi shpërthimin e një shtëpie me rrota në Nashville bënë një kontroll të shtunën në një shtëpi në periferi të qytetit në kërkim të të dhënave për incidentin që shkaktoi plagosjen e tre personave në zemër të kryeqytetit të muzikës të Shteteve të Bashkuara Ditën e Krishtlindjes.

Agjentët federalë po përpiqeshin gjithashtu të identifikonin një person pasi mbetje njerëzore mesa duket u gjetën pranë automjetit të shpërthyer.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Shtëpia me rrota, e parkuar në një rrugë në qendër të qytetit të qytetit më të madh të shtetit Tenesi në pjesën jugore të vendit, shpërtheu mëngjesin e së Premtes, momente pasi policia iu përgjigj njoftimeve për të shtëna me armë dhe dëgjoi një mesazh të regjistruar që ishte dëgjuar nga automjeti dhe që paralajmëronte për bombë.

Shpërthimi shkatërroi disa automjete, dëmtoi më shumë se 40 biznese dhe la një copra qelqi nga dritaret e thyera.

Policia lokale dhe agjentët e FBI-së dhe Byrosë amerikane të Alkoolit, Duhanit, Armëve të Zjarrit dhe Eksplozivëve (ATF) po kontrollonin një shtëpi dykatëshe në Antioki të Tenesisë, 18 kilometra në juglindje të Nashvillit, duke i kushtuar vëmendje të veçantë katit përdhes, siç i tha një dëshmitar agjencisë Reuters.

Zyrtarët nuk pranuan të shtunën të jepnin emrin e një personi me interes në lidhje me shpërthimin, por televizioni CBS News njoftoi se hetimi është përqendruar tek një burrë 63-vjeçar i cili kohët e fundit kishte jetuar në shtëpinë në Antieki, sipas të dhënave publike. Sipas një dokumenti të postuar në internet, më 25 nëntor ai e kaloi pronën në emrin e një gruaje nga Los Angeles pa kërkuar pagesë. Dokumenti ishte nënshkruar nga 63 vjeçari por jo nga gruaja.

Imazhet nga Google Street View të shtëpisë nga viti 2019 tregojnë çka duket të jetë një shtëpi me motor në anë të rrugës. Fqinjët i thanë stacionit televiziv lokal WKRN se automjeti ishte parkuar atje për vite me radhë dhe tani nuk është më.

“Në këtë pikë ne nuk jemi të gatshëm të identifikojmë asnjë individ të vetëm,” tha Agjenti Special i FBI-së Doug Korneski në një konferencë shtypi të shtunën.

Agjenti Special i FBI-së i ngarkuar për çështjen, Doug Korneski njoftoi gazetarët të shtunën se hetuesit janë “duke punuar fuqimisht” për të identifikuar mbetjet njerëzore, që duket se janë gjetur mes rrënojave, por nuk tha nëse ato mendohet t’i përkasin personit që qëndron pas shpërthimit, sipas tyre “një veprim i qëllimshëm”.

Policia nuk dha asnjë motiv të mundshëm apo se kush mund të ishte përgjegjës për ngjarjen, ndërkohë që zyrtarët e Departamentit të Policisë Metropolitane të qytetit Nashville e quajtën shpërthimin një “veprim të qëllimshëm” dhe premtuan se do të gjenin zanafillën e tij.

Guvernatori i shtetit Tenesi, Bill Lee tha në Twitter se ai vizitoi zonën e ngjarjes të shtunën dhe se ishte një “mrekulli” që askush nuk humbi jetën. Në një letër drejtuar Presidentit Donald Trump, Lee kërkoi një deklaratë nga qeveria federale për ndihmë emergjente për shtetin e tij.

Automjeti ishte parkuar para zyrave të kompanisë AT & T dhe shpërthimi shkaktoi ndërprerje të gjera të shërbimit telefonik, internetit dhe televizionit në Tenesinë qendrore dhe pjesë të disa shteteve fqinje, përfshirë Misisipin, Kentakin, Alabamën dhe Xhorxhian.

Incidenti i së premtes kishte një natyrë misterioze, siç përshkruhet edhe nga dëshmitarët. Në fillim u dëgjuan të shtëna me armë zjarri, pastaj një regjistrim i zërit të një gruaje me një paralajmërim rrënqethës që vinte nga automjeti para se të shpërthente.

“Zona duhet të evakuohet tani. Zona duhet të evakuohet tani. Nëse dëgjoni këtë mesazh, largohuni nga zona. Nëse dëgjoni këtë mesazh, largohuni nga zona,” thoshte mesazhi i cili u dëgjua për disa minuta para shpërthimit.

Policia u përpoq të evakuonte shtëpitë dhe ndërtesat aty pranë dhe thirri një skuadër për çaktivizimin e bombave, e cila ishte ende rrugës për në vendin e ngjarjes kur ruloti shpërtheu fare pranë një ndërtese të zyrës së kompanisë së telekomunikacionit AT&T ku ishte parkuar.

Policia më vonë postoi një foto të rulotit, që sipas saj kishte mbërritur në zonë rreth katër orë para shpërthimit.

Zyrtarët e zjarrfikësve thanë se tre persona u shtruan në spital me dëmtime relativisht të vogla dhe ishin në gjendje të qëndrueshme. Sipas autoriteteve, veprimet e shpejta të policisë për të pastruar zonën nga kalimtarët para shpërthimit mund të kenë shpëtuar jetë njerëzish. /VOA

 

ME TE LEXUARAT