Greqia zgjeron me 12 milje kufirin detar me Shqipërinë, Athina miraron dekretin

Aktualitet
Greqia zgjeron me 12 milje kufirin detar me Shqipërinë, Athina miraron

Greqia ka miratuar dekretin presidencial për zgjerimin e ujërave territoriale në detin Jon deri në 12 milje. Dekreti përfshin hapësirën në zonën veriore të detit Jon, të ishujve të Jonit e deri në Kepin e Tenaro në Peloponez. Vendimi në fjalë është marrë nga Këshilli i Lartë i Shtetit që është gjykata më e lartë administrative në Greqi.

Gazeta greke “ Protothema” në një reportazh të detajuar, thekson se me këtë hap ditën e Krishtlindjeve, Athina i dërgon një mesazh të hapur Turqisë, sidomos kur theksohet se, në përputhje me Konventën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara qeveria greke “rezervon të drejtën për të ushtruar të njëjtën pikë dhe në zonat e tjera të ujërave territoriale”.

Zgjerimi i ujërave territoriale në detin Jon transformon të njëjtin rajon në një Zonë Ekskluzive Ekonomike (EEZ), pra në një zonë detare, ku një shtet ka të drejtë të hulumtojë ose ndryshe të shfrytëzojë burimet detare, përfshirë prodhimin e energjisë elektrike të ujit dhe ajrit.

Në të njëjtën kohë, përcaktimi i vijave bazë në rajonin e Detit Jon dhe mbyllja e gjireve, si dhe zgjerimi i ujërave territoriale në Detin Jon, hapin rrugën për hartimin e marrëveshjes Greqi-Shqipëri, në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

Për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy vendeve, është rënë dakord gjatë vizitës së ministrit të Jashtëm, Nikos Dendias, në Tiranë, dhe takimit që ai pati me kryeministrin shqiptar, thekson gazeta greke “To Protothema” duke shtuar, se çështja mbetet e hapur nga viti 2009, kur Greqia nënshkroi një marrëveshje për zonën detare, e cila u anulua nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë.

Këtë marrëveshje me votë unanime GJK e konsideroi si marrëveshje “antikushtetuese, të karakterizuar nga moszbatimi i parimeve bazë të së drejtës ndërkombëtare për ndarjen e hapësirave detare midis dy vendeve dhe arritjen e një rezultati të drejtë dhe të ndershëm”.

Shqipëria dhe Greqia ndajnë në Detin Jon tri hapësira: Det Territorial, Shelf Kontinental dhe Zona Ekonomike Ekskluzive. Këto dy të fundit kanë të bëjnë me shfrytëzimin e hapësirës dhe pasurive nëndetare, si kërkimet për gaz, naftë etj. Për të tria këto hapësira dy vendet fqinje kanë interesa strategjike.

Konventa e Kombeve të Bashkuara për Ligjin e Detit e thotë qartë në 320 nenet e saj, se secili vend ushtron “sovranitet të plotë dhe të drejta sovrane në një zonë të përcaktuar qartë, me koordinata detare, të vendosura në një hartë të dakordësuar dhe të shoqëruar me koordinata detare për 3 hapësirat.”

Në rastin e Shqipërisë dhe Greqisë ka një hapësirë në Detin Jon, ku koordinatat detare në hartë mungojnë.

ME TE LEXUARAT