Lajmi Fundit
Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqiperia, informacionet e fundit, lajmeshqip, lajmet, lajm nga vendi, lajme nga kosova, lajme rajoni, bota, live te fundit news 24

Mesazhet e Vjosa Osmanit në Tiranë/ Bushati: Ndryshimi i kufijve dhe minishengeni përçanë shqiptarët

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati komentoi gjatë mesazhet që presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani lëshoi gjatë vizitës zyrtare në Tiranë. Në “Facebook”, Bushati tha se këto deklarata thjesht nxorën në pah nevojën për të ndërtuar një besim të ndërsjellë.

“Mesazhet e Vjosa Osmanit, gjatë vizitës në Tiranë, përtej intepretimeve partizane dhe epiteteve të papranueshme që u përdorën ndaj saj, nxorën edhe një herë tjetër në pah nevojën dramatike që ka shoqëria shqiptare për një regjim epistemik. Një treg idesh ku njerëzit kolektivisht kanë mundësi të arsyetojnë mbi atë që është e vërtetë. Në shoqëritë demokratike, ky regjim është një ekosistem i decentralizuar i akademikëve, klerit, shoqërisë civile, gazetarëve, sipërmarrjes dhe të tjerëve që nuk bien dakord për shumëçka, por bien dakord për një sistem të përbashkët rregullash për peshimin e provave dhe formësimin e njohurive. Një regjim, i cili po reziston me vështirësi ndaj epokës së të “vërtetave alternative” dhe garës brutale për klikime.”

Sipas Bushatit, debati mund të ngrihet për influencën e Shqipërisë në Kosovë, por kurrsesi nuk mund të vihet në pikëpyetje roli i pazëvendësueshëm i Shqipërisë.

“Kësisoj, pritshmëritë ndaj Shqipërisë janë gjithnjë të mëdha, sikurse përgjegjësitë e saj. Kujdesi nga Shqipëria për të mos u përfshirë dhe mos u perceptuar si e përfshirë në debatin politik të ditës në Kosovë është parakusht për një politike efektive. I njëjti kujdes duhet treguar edhe përsa i përket orientimeve dhe mbështetjeve që Shqipëria jep për fuqizimin e faktorit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Luginën e Preshevës. Sa herë është synuar bashkimi dhe e mira e përbashkët, rezultatet nuk kanë munguar. Tingëllon e çuditshme, por duhet t’ia përsërisim sërish vetes se, avancimi i pozitave të shqiptarëve në rajon shkon në raport të drejtpërdrejt me ndërtimin e një marrëdhënie strategjike mes Shqipërisë dhe Kosovës, e cila duhet të jetë kapilare, në çdo fushë të jetës. Rrjedhimisht, edhe ndërtimi i marrëdhënieve të mira me fqinjët e tjerë në rajon ndikohet nga ky bosht dhe ndarja e përgjegjësive e roleve mes Shqipërisë dhe Kosovës.”

Ish-ministri kujtoi edhe dokumentin e partneritetit strategjik të firmosur në 2014 mes Shqipërisë dhe Kosovës. Nëse do të veprohej sipas këtij dokumenti, sipas Bushatit, do të kishim një bashkëpunim më të mirë mes dy vendeve.

“Në dokument, partneriteti Shqipëri-Kosovë përkufizohet si strategjik për ne, stabilizues për rajonin dhe orientues për të ardhmen e tij euroatlantike. Në rast se do të respektohej fryma dhe mekanizmi bashkërendues i parashikuar në dokument, bazuar mbi katër shtylla: (i) politika e jashtme dhe e sigurisë; (ii) drejtësia dhe çështjet e brendshme; (iii) ekonomia, energjia, transporti, turizmi dhe mbrojtja e mjedisit; (iv) kultura, arsimi dhe shkenca, sot do të kishim një bashkëpunim molekular me impakt të ndjeshëm për qytetarët në të dyja anët e Morinës, që do t’i paraprinte në të njëjtën kohë bashkëpunimit rajonal me fqinjët. Në rast se temat që vijojnë të mbajnë gjallë hapësirën mediatike, në lidhje me copëtimin territorial të Kosovës, mini-schengenin, gjykatën speciale, apo raportet me Serbinë, do të trajtoheshin përmes mekanizmit të ndërtuar nga partneriteti strategjik, e njëkohësisht duke siguruar mirëkuptim sa më të madh politik dhe shoqëror në Shqipëri dhe Kosovë, këto tema, do të prodhonin më shumë unitet dhe më pak përçarje. Mbase nuk do të arrinin kurrë të ishin pjesë e agjendës politike, apo t’i diktoheshin opinionit publik përmes oligarkëve propagandistik. Fatkeqësisht, këto tema i përçan shqiptarët si kurrë më parë.”

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet