Ngjarja korruptive, se futbollistit uruguajan Luis Suarez e ka marrë dëshminë e gjuhës italiane pa e ditur atë, vazhdon të jetë në qendër të diskutimeve në gadishullin Apenin.
Mësohet, se sulmuesi i Atletiko Madridit, e ka pranuar që ai i ka ditur më parë përgjigjet e provimit të gjuhës italiane, që ka dhënë në muajin shtator në Universitetin e Peruxhias.
Sipas një raportimi të “Ansa”, uruguajani është marrë në pyetje, si dëshmitari kryesor dhe përgjigjet e tij, do të ishin thelbësore për çështjen.
Suarez nuk ka hezituar të pranojë akuzat gjatë video-konference, të cilën e drejtonte prokurori Rafaele Kantone.
Ngjarja e bujshme ka bërë që Xhuliani Grego Boli, rektor i Universitetit të Peruxhias për të huajt, i pezulluar për tetë muaj, të paraqesë edhe dorëheqjen nga ushtrimi i detyrës.
Ndërkohë, prokurori i çështjes Kantone, vazhdon grumbullimin e fakteve, para se ta dorëzojë çështjen në gjykatë.
Gjithashtu edhe drejtori sportiv i Juventusit, Fabio Paratici, është nën akuzë, pa çka se ende nuk ka një sanksion kundrejt tij. Mendohet, se ai ka ndërhyrë për të favorizuar Suarezin, i cili asokohe edhe mund të kalonte nga Barça në radhët e bardhezinjve të Torinos.