Lajmi Fundit
Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqiperia, informacionet e fundit, lajmeshqip, lajmet, lajm nga vendi, lajme nga kosova, lajme rajoni, bota, live te fundit news 24

Vuçiç: Sa të jem unë President, Serbia nuk do ta njohë Kosovën

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç deklaroi se vendi i tij nuk do e njohë shtetin e Kosovës para zgjedhjeve të 2022-it, nderkohe qe nje deklarate e tille po rrezikon premisën e marrëveshjes gjithëpërfshirëse.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, përsëriti të shtunën se njohja reciproke është kusht për paktin dypalësh dhe dialogun që vendet po zhvillojnë me ndërmjetësinë e Bashkimit Europian.

“Dialogu ka rifilluar mbi parime të qarta për marrëveshje përfundimtare për normalizim të marrëdhënieve dhe njohje reciproke, dhe nuk do të ketë marrëveshje të pjesshme. Nëse nuk do të ketë njohje reciproke, atëherë nuk do të ketë as marrëveshje,” reagoi kreu i qeverisë kosovare në rrjetet sociale.

Reagimi pasoi qëndrimin e presidentit Vuçiç një ditë më parë, kur ai theksoi se çështja e njohjes së Kosovës duhet rivlerësuar pas zgjedhjeve të ardhshme presidenciale në Serbi.

“Deri në prill 2022, kur kemi zgjedhjet presidenciale dhe pastaj ato parlamentare, Beogradi me siguri nuk ka për ta njohur pavarësinë e Kosovës. Më pas, do të vendosë populli. Nëse do të angazhohemi për njohjen ose mosnjohjen e saj, përgjigja do të ishte po, po dhe jo.”

Në Prishtinë, shefja e diplomacisë kosovare, Meliza Haradinaj-Stublla, tha se me këtë qëndrim, Beogradi po vetëpërjashtohet nga dialogu deri në afatin që i ka vënë vetes, në 2022-in.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në zyrat e Brukselit ka nisur rreth një dekadë më parë dhe pas ndërprerjes disamujore, takimet rifilluan plotësisht në korrik në nivel politik dhe teknik.

BE-ja thotë se procesi ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve Prishtinë-Beograd, por sipas ministres Haradinaj-Stublla, kjo duket se nuk nënkupton domosdoshmërisht njohjen reciproke.

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet