Lajmi Fundit
Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqiperia, informacionet e fundit, lajmeshqip, lajmet, lajm nga vendi, lajme nga kosova, lajme rajoni, bota, live te fundit news 24

Mbrojtja e ish-udhëheqësve të UÇK-së këmbëngul për shtyrjen e fillimit të gjykimit në Hagë

Mbrojtja e ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Hagë, edhe njëherë ka kërkuar që fillimi i gjykimit kundër, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të ndodhë brenda 18 muajsh, përkatësisht në verë të vitit 2022.

“Më shumë se 18 muaj duhen për të zhvilluar hetime në këtë rast. Ky është realiteti”, tha avokati i Hashim Thaçit, David Hooper, në një konferencë statusore të mbajtur të enjten në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Prokuroria ka deklaruar se deri më tani i ka dorëzuar mbrojtjes mbi 1.300 materiale.

Prokuroria po ashtu tha se në mujin korrik mund të përfundojnë hetimet dhe në muajin shtator të vitit 2021 të nis procesi gjyqësor.

“Ne do të ishim të përgatitur të parashtronim dosjen paragjyqësore në fillim të korrikut, pra dy tre muaj para fillimit të gjyqit”, deklaroi prokurori i rastit, Alan Tieger.

Edhe avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson deklaroi se periudha prej 18 muajsh është e shkurtër. Ai i ka kujtuar gjykatës se në Tribunalin Ndërkombëtar për Ish-Jugosllavinë në Hagë, që nga paraqitja e parë e të akuzuarve në gjykatë dhe deri në fillimin është pritur deri në tre vite e gjysmë. Edhe kjo periudhë, sipas tij është e gjatë, por theksoi nevojën që mbrojtja kërkon kohë të mjaftushme për të trajtuar çështjen dhe provat e paraqitura nga ana e prokurorisë.

Emmerson mendon se fillimi i gjykimit në këtë rast ndoshta do të duhej të fillonte në fund të vitit 2022, ose në fillim të vitit 2023, dhe se kjo do të ndikohet nga pandemia dhe vaksinimi kundër COVID-19.

Gjykatësi, Nicolas Guillou, tha se asnjë vendim nuk do të merret të enjten në lidhje me datën e fillimit të gjyqit, por ai tha se do të marrë parasysh të gjitha pozicionet e mësipërme dhe se kjo do të diskutohet në konferencat e ardhshme të statusore.

U propozua që konferenca e ardhshme statusore të mbahet në janar.

Konferencën statusore, apo konferencën mbi ecurinë e çështjes e thërret gjykatësi i procedurës paraprake dhe ajo ka për qëllim organizimin e shkëmbimeve midis palëve. Në këtë konferencë, prokuroria tregon çfarë lloji të provave disponon.

Kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të PDK-së, Kadri Veseli, deputetit dhe ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit është konfirmuar aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Të gjithë, aktualisht gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm.

Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte, ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit, 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet