Greqia deklaroi sot se do të marrë në dorëzim 18 avionë luftarakë francezë “Rafale” vitin e ardhshëm, si pjesë e një përpjekje të madhe 11.5 miliardë euro për të modernizuar forcat e saj të armatosura në mes të tensioneve me Turqinë.
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis tha se marrëveshjet do të finalizohen me qeverinë franceze dhe kontraktorin e mbrojtjes Dassault Aviation në ditët në vijim, lajm që u bë me dije në Parlament përpara votimit të buxhetit 2021.
Shpenzimet vjetore për mbrojtjen po rriten ndjeshëm për vitin e ardhshëm, duke shkuar në 5.4 miliardë euro, me gjithë recesionin e thellë të shkaktuar nga pandemia Covid-19. Athina dhe Ankaraja zyrtare vazhdojnë të kenë mosmarrëveshje rreth kufijve dhe të drejtës për kërkime ose jo të gazit natyror nënujor në Mesdhe.
Tensionet u përshkallëzuan këtë vit duke ngjallur shqetësime mes aleatëve perëndimorë, që iu frikësuan një përplasjeje të mundshme ushtarake mes dy vendeve. Greqia ka hartuar një program 5-vjeçar për ushtrinë ku përfshihet armatimi i ri dhe një personel shtesë prej 15 mijë personash.
Në program parashikohet blerja e fregatave të reja, helikopterëve dhe dronëve luftarak, anti-nëndetësve si dhe një azhurnim i flotës së avionëve F-16 deri në vitin 2027, në partneritet me firmën amerikane të mbrojtjes “Lockheed Martin”.
Greqia ka krijuar lidhje më të ngushta ushtarake me aleatët tradicionalë Francën dhe Shtetet e Bashkuara dhe ka zgjeruar bashkëpunimin me Izraelin, Egjiptin dhe vendet e tjera në rajon.