Konfirmohet fitorja e Joe Biden nga Kolegji Zgjedhor: Kushtetuta jonë dhe vullneti i popullit fituan

Bota
Konfirmohet fitorja e Joe Biden nga Kolegji Zgjedhor: Kushtetuta jonë dhe

Demokrati Joe Biden fitoi të hënën votimin shtet për shtet të Kolegjit Zgjedhor, që përcakton zyrtarisht presidencën në SHBA.

Kalifornia, shteti më i populluar i vendit, i dha Biden 55 votat e saj elektorale, duke bërë që ai të kapërcejë zyrtarisht totalin e 270 votave, të nevojshme për të siguruar Shtëpinë e Bardhë.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Bazuar në rezultatet e nëntorit, Biden fitoi gjithsej 306 vota të Kolegjit Zgjedhor kundrejt 232 të Republikanit Donald Trump.

Më herët gjatë ditës, elektorët në disa shtete kryesore fushë-betejë ku zoti Trump u përpoq pa sukses të ndryshonte rezultatin - Arizona, Xhorxhia, Miçigani, Nevada, Pensilvania dhe Uiskonsini - votuan gjithashtu për zotin Biden, i cili pritet të marrë detyrën në 20 Janar.

Në shtetin e Miçiganit, elektorët demokratikë shkuan në Kapitolin e shtetit të shoqëruar me makinat e policisë, për të shmangur protestuesit e armatosur pro-Trump që kishin planifikuar të demonstronin kundër fitores së Biden në këtë shtet.

Në shtetin jugperëndimor të Arizonës, ku zoti Biden u bë kandidati i parë demokrat për presidentit që arrinte fitore që nga viti 1996, zyrtarët e shtetit e mbajtën votimin në një objekt që nuk e kishin identifikuar për publikun për arsye sigurie, larg një takimi që po zhvillonin republikanët në selinë e legjislaturës së këtij shteti.

Në Delauer, shteti i vogël lindor që është edhe vendbanimi i Biden, ceremonia e votimit të Kolegjit Zgjedhor u zhvendos në sallën sportive të një kolegji, që shihej si objekt më i sigurt.

Tani që votimi i Kolegjit Zgjedhor ka përfunduar, nbetet edhe një hap i fundit.

Më 6 janar, Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve do të mblidhen në një sesion të përbashkët të Kongresit për të numëruar zyrtarisht votimin e Kolegjit Zgjedhor.

Aleatët e Trump në Dhomën e Përfaqësuesve, të udhëhequr nga kongresmeni Mo Brooks i Alabamës, thonë se ata do ta kontestojnë rezultatin në pesë shtete - Arizona, Pensilvani, Nevada, Xhorxhia dhe Uiskonsin - ku ata pretendojnë se manipulimet e gjera në votime i kushtuan Trump rizgjedhjen.

"Në bazë të Kushtetutës, ne kemi një rol më me peshë sesa Gjykata e Lartë, sesa çdo gjykatës federal, sesa çdo gjykatës i një shteti," tha zoti Brooks për gazetën New York Times. "Ne marrim vendimin përfundimtar."

Zyrtarët e zgjedhjeve në të pesë shtetet, përfshirë republikanët kryesorë në Xhorxhia dhe Arizona, e çertifikuan fitoren e Biden dhe thanë se nuk pati ndonjë mashtrim në numërimin e votave që mund të kishte ndikuar tek rezultati.

Asnjë Kongres nuk ka zhvleftësuar votat elektorale të një shteti që nga shekulli i 19-të dhe nuk ka gjasa të ndodhë as muajin e ardhshëm.

Por përpara se në Kongres të ketë ndonjë debat lidhur me protestën e kongresmenëve republikanë, të paktën një senator do të duhej t’i bashkohej përpjekjes për kontestimin e rezultatit. Deri tani askush nga senatorët nuk ka thënë se ai ose ajo do ta bënte këtë.

Nëse protesta në Kongres nuk pranohet, Nënpresidenti Mike Pence, i cili kryeson procesin, do të duhej të deklarojë se ai dhe zoti Trump i kanë humbur zgjedhjet.

Mesditën e 20 Janarit, 78-vjeçari Biden do të bëjë betimin në shkallët e Kapitolit si presidenti i 46-të i SHBA. Ai do të jetë udhëheqësi amerikan më i vjetër në moshë i zgjedhur ndonjëherë.

Zoti Trump, ende këmbëngul në mënyrë të pasaktë se ai ka fituar në zgjedhjet e muajit të kaluar.

"Kjo çështje nuk është mbyllur", tha zoti Trump për televizionin Fox News në një intervistë të dielën në mëngjes, megjithëse dhjetra padi lidhur me pretendimet e tij se po i mohohet padrejtësisht një mandat i dytë, janë hedhur poshtë nga gjykatat.

"Ne vazhdojmë përpjekjet. Kemi çështje të shumta në shkallë lokale. Ne fituam në Pensilvani. Fituam në Miçigan. Fituam në Xhorxhia me diferencë të madhe”, tha ai.

Kolegji Zgjedhor është ai që përcakton fituesin e zgjedhjeve presidenciale në SHBA jo vota popullore, megjithëse zoti Biden kryeson edhe në atë kategori, me më shumë se 7 milionë vota.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:

 

Të Fundit

Ora 07:59

Zgjidhet President i SHBA-së, Biden: Demokracia u vendos në provë, por rezultoi e qëndrueshme dhe e fortë

1608015633_joebiden.jpg

 

Menjëherë pasi Kolegji Zgjedhor zyrtarizoi fitoren e tij, Presidenti Joe Biden në një deklaratë për shtyp u shpreh se vullneti i popullit fitoi mbi të gjitha. Në një fjalim të mbajtur Delaware, ai tha se demokracia u vendos në provë dhe u kërcënua, por rezultoi e qëndrueshme, e vërtetë dhe e fortë.

 

"Sundimi i ligjit, Kushtetuta jonë dhe vullneti i popullit fituan," tha Presidenti.

 

Biden u kërkoi amerikanëve ta hidhnin vështrimin përtej fushatës së zgjedhjeve të 3 nëntorit dhe përpjekjeve të Presidentit Donald Trump për të mos pranuar humbjen.

 

"Nëse dikush nuk e dinte më parë, tani ne e dimë. Ajo që rreh thellë në zemrat e popullit amerikan është demokracia… Është e drejta për t’u dëgjuar. Që vota juaj të numërohet. Që ju të zgjidhni udhëheqësit e këtij vendi. Që të qeverisni veten,” tha Biden.

 

Duke iu referuar përpjekjeve të republikanit për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve përmes sfidave ligjore që janë refuzuar nga gjykatësit në të gjithë spektrin politik, përfshirë Gjykatën e Lartë, Biden argumentoi se sistemi qeverisës i Amerikës mbetet i paprekur.

 

"Në Amerikë, politikanët nuk e marrin pushtetin, është populli që ua jep atyre", tha ai. “Flaka e demokracisë është ndezur në këtë vend shumë kohë më parë. Dhe tani ne e dimë se asgjë, madje as një pandemi, apo një abuzim i pushtetit, nuk mund ta shuajë atë flakë," deklaroi Biden.

 

 

ME TE LEXUARAT