Lajmi Fundit
Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqiperia, informacionet e fundit, lajmeshqip, lajmet, lajm nga vendi, lajme nga kosova, lajme rajoni, bota, live te fundit news 24

Dita e pestë e protestës për Klodian Rashën/ Me simbole, por nuk mungoi gazi dhe uji

Duke kërkuar “drejtësi për Klodianin”, qindra qytetarë u grumbulluan sërish dje në protestën e pestë, që tashmë kërkon dorëheqjen e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu.

Edhe pse protesta konsiderohet e jashtëligjshme nga ana e Policisë, që deri diku ndërhyrjet për shpërndarjen e turmave i justifikon me aktin normativ për shkak të pandemisë, që nuk lejon grumbullimet e më shumë se 10 vetave, sërish ishin marrë masa për të mbrojtur institucionet. Mësohet se rreth 900 forca policore janë angazhuar dje për të mbrojtur institucionet, por edhe objekte të tjera që kanë qenë në shënjestër gjatë protestave të mëparshme.

Protestuesit e kanë nisur tubimin paqësisht duke kërkuar lirimin e të arrestuarve gjatë tubimeve të ditëve të mëparshme. Me pankartat “Rama ik”, “Poshtë diktatura”, “Drejtësi për Klodianin”, “Dhuna policore është pandemi”, “Mbollët dhunë, dhunë po korrni”, ata janë mbledhur fillimisht në sheshin “Skëndërbej”, për t’u shpërndarë më pas në zonat ku kanë protestuar edhe në 4 ditët e mëparshme.

Dje ata kishin simbolikat e tyre. Në nisje u vu re që mes protestuesve nuk kishte të mitur, ku u duk si një “bindje” e organizatorëve ndaj thirrjeve që Policia u drejtoi prindërve të minorenëve ditën e premte. Ndërsa para Kryeministrisë, disa të rinj u shtrinë barkas, duke vënë duart pas koke, simbolika e dorëzimit para forcave të rendit, duke kujtuar në këtë formë Klodian Rashën që u vra nga efektivi i “Shqiponjave”.

 

PERPLASJA

Kur dukej se gjithçka po shkonte qetë, pa përplasjet që u mësuam të shihnim gjatë këtyre ditëve, në një moment situata u tensionua pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Policia përdori ujë me presion ndaj protestuesve, madje edhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Për shkak se nuk iu bindën thirrjeve të Policisë për t’u larguar, disa persona u shoqëruan nga forcat e rendit. Ndërsa më pas, një pjesë e turmës u rrethua nga forcat policore. Protestuesit duket se donin të rikthehen sërish te Drejtoria e Policisë Tiranë. Por, FNSH-ja dhe autoboti me ujë kanë zbarkuar në zonën e ish-Bllokut për të shtyrë protestuesit larg destinacionit të tyre. Protestuesit nuk u rikthyen te bulevardi apo Kryeministria, por u nisën drejt Gjykatës së Lartë.

Më herët Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kishin marrë masat duke bërë një bllokadë para Drejtorisë së Policisë Tiranë. Ata nuk i lejuan protestuesit që të afrohen te Drejtoria duke i dalë para rrugës që të çon për te destinacioni ku ata ishin nisur. Nga ana tjetër, protestuesit i janë përgjigjur me gjestin simbolik të shtrirjes në rrugë me duart mbi kokë.

Disa prej tyre më pas gjuajtën me gurë, dhe menjëherë pati një reagim nga uniformat blu duke hedhur gaz lotsjellës, si dhe autoboti ka hedhur ujë me presion mbi protestuesit. Po ashtu, menjëherë pas këtij episodi, kanë filluar shoqërimet e para të protestuesve, shumica të rinj teksa janë të paktën 6 që kanë rënë në dorë të Policisë.

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet