Aksident i rëndë në Berat/ 27-vjeçari i dehur në timon hedh në ajër motoçiklistin që shpërndante pica
Një aksident i rëndë është regjistruar mbrëmjen e sotme në qendër të qytetit të Beratit.
Një mjet tip Renault me targa AB 906 AR, që drejtohej nga një 27-vjeçar që ishte i dehur në timon, ka bërë “kërdinë” në qytet.
Pasi ka përplasur dhe hedhur në ajër në afërsi të Urës së Varur një motoçiklist që shpërndan pica në qytet,27-vjeçari ka fluturuar në rrugën e përgjatë lumit, duke përplasur 4 mjete të parkuara në rrugë dhe më pas ka përfunduar brenda lulishtes së qytetit.
Drejtuesi i motoçilketës, që pas përplasjes është shembur në asfalt, është plagosur rëndë dhe është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Beratit.
Drejtuesi i mjetit Tajar Hysko ka dalë pa lëndime nga makina dhe është ndaluar nga policia. Si pasojë e aksidentit të rëndë një 33-vjeçar që qarkullonte me motorin e picave është në gjendje të rëndë dhe 4 mjete të parkuara në rrugë janë shkatërruar.
Në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policie dhe ekspertë të qarkullimit rrugor, që janë duke kryer kqyrjen e vendit të ngjarjes, për të zbardhur dinamikën e plotë të aksidentit.