Lajmi Fundit
Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqiperia, informacionet e fundit, lajmeshqip, lajmet, lajm nga vendi, lajme nga kosova, lajme rajoni, bota, live te fundit news 24

Protesta, Avokati i Popullit: Janë arrestuar 124 persona, mes tyre 57 të mitur

Avokati i Popullit, pas protestave të zhvilluara dy ditët e fundit, kreu ditën e sotme një seri inspektimesh dhe vizitash në komisariatet e kryeqytetit si dhe në qendrat shëndetësore kryesore.

Grupet e punës të Avokatit të Popullit kanë ndjekur nga afër jo vetëm protestën e dy ditëve të fundit, por edhe situatën pasuese, gjatë shoqërimeve të qytetarëve nga ana e Policisë e do të vijojnë ta bëjnë një gjë të tillë në vijim në përputhje me mandatin tonë të përcakuar në ligj.

Duke theksuar nevojën për ushtrimin në mënyrë paqësore të së drejtës së protestës e duke kërkuar vetëpërmbajtje, konstatojmë se numri i të shoqëruarve ka qenë i lartë: 124 persona, nga të cilët 57 të mitur.

Të miturit janë lënë të lirë pas verifikimit të tyre dhe në momentin e inspektimit janë gjendur vetëm 2 të mitur të arrestuar, njëri 16 vjeç dhe tjetri 17 vjeç.

Ky është një numër disa herë më i lartë se kapacitetet e shoqërimit dhe ndalimit në drejtoritë vendore dhe komisariatet e kryeqytetit, të cilat kanë mundësi akomodimi vetëm për 33 të shoqëruar dhe rreth 25 të arrestuar.

Këto janë kapacitetet në gjendje normale, pa marrë në konsideratë masat shtesë të distancimit për shkak të emergjencës shëndetësore.

Në momentin e inspektimit ka pasur në total një numër prej 52 të arrestuarish. Dhomat e sigurisë ishin të pajisuara me dezifektantë dhe në disa prej tyre kishte maska por nuk ishin në numer të mjaftueshëm për ta.

Nga të ndaluarit, pati vetëm një numër të kufizuar pretendimesh për veprime të dhunshme nga ana e punonjësve të Policisë por nuk pati ankesa formale të paraqitura për të mundësuar më tej hetimin e institucionit tonë.

Gjithashtu Avokati i Popullit ka konstatuar se përgjatë shoqërimeve në Polici të pjesëmarrësve në protestat e fundit, janë shoqëruar edhe disa të mitur nën moshën 14 vjeç dhe se procedurat e shoqërimit për ta kanë paraqitur disa probleme për të cilat do të kryhet një hetim i thelluar.

Avokati i Popullit ngre shqetësimin se problemet në lidhje me mbipopullimin apo procedurat përkatëse për shoqërimin e shtetasve në përgjithësi por edhe në kushtet e emegjencës shëndetësore në veçanti kanë mbetur të pa-adresuara dhe situata mbetet problematike inspektim pas inspektimi.

Në Komisariatin nr.3, ishin shoqëruar 13 të mitur të cilët ishin lënë më pas të lirë, pas kryerjes së procedurave.

Në momentin e vizitës së përfaqësuesve të Avokatit të Popullit, në këtë Komisariat mbaheshin 5 persona të arrestuar, nga të cilët njëri paraqiste probleme shëndetësore të karakterit mendor.

Këta persona mbaheshin në kushte të papërshtatshme për ruajtjen e shëndetit të tyre, pasi kapaciteti në këtë Komisariat ishte vetëm për 3 persona.

Në këtë komisariat rezultoi se për asnjë person nuk ishin plotësuar kartelat mjekësore.

Në Komisariatin nr.1 situata paraqitej më komplekse për shkak të numrit masiv të të shoqëruarve që ishin sjellë këtu.

Në këtë Komisariat ishin shoqëruar fillimisht rreth 50 persona, nga të cilët 24 të rritur dhe 25 të mitur, këta të fundit, pa raport shërbimi.

Të miturve u ishin marrë gjeneralitetet dhe ishte komunikuar me prindërit. Gjatë momentit të inspektimit në dhomat e shoqërimit dhe ndalimit në Komisariatin nr.1 ishin 16 persona, nga 6 persona që ishte kapaciteti.

Në Komisariatin e Policisë Nr.2, janë shoqëruar 38 persona, 10 prej të cilëve nën moshën 18 vjeç.
Në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në datën 10.12.2020, janë shoqëruar 17 veta, 9 prej të cilëve nën moshën 18 vjeç. Këta të fundit janë lënë të lirë një orë pas shoqërimit.

Të gjithë të arrestuarit u intervistuan për veprimet e kryera në protestë. Disa prej tyre pretenduan se kanë marrë pjesë në protestë, por nuk kanë kryer veprime të dhunshme.

Disa të tjerë pretenduan se kanë qenë kalimtarë të rastit dhe nuk kanë marrë pjesë në protestë.

Dy të miturit, të pyetur nëse kanë qenë të pranishëm avokati apo psikologu gjatë marrjes në pyetje, u përgjigjen se janë pyetur vetëm nga punonjësi i Policisë i cili i ka bërë presion të pranonte se kishin kryer veprime të dhunshme.

Ata pretenduan se avokati ka ardhur në një moment të dytë dhe ka firmosur dokumentat që mbanin me vete (procesverbal të arrestimit, procesverbal të kontrollit personal dhe letrën e të drejtave të të miturit nën hetim).

Për sa i përket rastit të punonjësit të medias Xhoi Malësia, shpjegimi verbal nga autoritetet policore ishte se ai nuk është trajtuar si i shoqëruar dhe nuk është mbajtur në dhomat e shoqërimit.

Gjithashtu, përfaqësues të Avokatit të Popullit kanë monitoruar dje dhe sot Qendrën Kombëtare të Shërbimit Mjekësor për të marrë informacion mbi numrin e personave që kanë marrë shërbim mjekësor në urgjencë përgjatë dy ditëve të protestave të dt.09.12.2020 dhe 10.12.2020.

Nga verifikimi i dokumentacionit rezultoi se të gjithë personat e paraqitur në urgjencë në të dyja ditët e protestës kanë marrë shërbimin dhe janë larguar.

Më konkretisht ditën e parë të protestës janë paraqitur për tëmarrë ndihmë mjekësore 14 efektivë të policisë dhe 2 protestues, ndërsa ditën e dytë 5 efektivë të Policisë dhe 2 protestues.

Punonjësit e Policisë paraqisnin kryesisht dëmtime të shkaktuara nga hedhja e gurëve dhe sendeve të forta. Një prej tyre që kishte pësuar dëmtime të syrit, paraqiste gjendje më serioze.

Nga verifikimi i regjistrave mjekësorë, rezultoi se të gjithë personat e mësipërm kanë marrë mjekim e nevojshëm dhe janë larguar nga spitali, me përjashtim të një punonjësi Policie që kishte marrë dëmtime në këmbë.

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet