U ekzekutua me bombë me telekomandë në ashensor, ky është biznesmeni i vrarë nga Shullazi

Aktualitet

“ABC” publikon foton e biznesmenit Vajdin Lamaj të ekzekutuar 15 vite më parë me eksploziv në ashensorin e pallatit, teksa po ngjitej në banesë.

SPAK zbardhi sot ekzekutimin e biznesmenit dhe për këtë akuzoi Emiljano Shullazin dhe Viktor Ymerin me bashkëpunimin e bandës së Durrësit.

Por si ndodhi vrasja e Lamajt dhe Artan Arsit, që tronditi Tiranën? Ata u ekzekutuan në 27 shkurt të vitit 2005, rreth orës 23:50 si pasojë e shpërthimit të telekomanduar të ashensorit të pallatit të tij, ndërsa bashkë me Lamajn u vra dhe miku i tij i fëmijërisë Arsi. Eksplozivi ishte vënë në ashensorin e pallatit, ku kishte shtëpinë Lamaj, prapa stadiumit “Qemal Stafa”.

Vajdin Lamaj

Sapo Lamaj dhe Arsi janë ngjitur në ashensor, ndërmjet katit të pestë dhe katit të gjashtë ka ndodhur shpërthimi i lëndës eksplozive, duke i lënë të dy personat të vdekur në vend. Sasia e eksplozivit ka qenë e madhe.

Dy viktimat do të ngjiteshin në katin e tetë, ku kishte shtëpinë Lamaj.

Ashensori në momentin e shpërthimit ka qenë në ngjitje dhe mendohet që shpërthimi të jetë realizuar me telekomandim nga distanca. Gjatë shpërthimit u shkatërrua totalisht ashensori.

Pas 15 viteve, SPAK arriti që të mblidhte prova duke akuzuar për këtë vrasje Emiljano Shullazin dhe Viktor Ymerin, të cilët sipas prokurorisë së posaçme anti-korrupsion në bashkëpunim me bandën e Durrësit që akuzohet për vrasjen e Klodian Saliut, eliminuan Lamajn.

ME TE LEXUARAT