Lajmi Fundit
Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqiperia, informacionet e fundit, lajmeshqip, lajmet, lajm nga vendi, lajme nga kosova, lajme rajoni, bota, live te fundit news 24

Ligji për rimëkëmbjen ekonomike në Kosovë, dekretohet nga Osmani

Projektligji për rimëkëmbjen ekonomike, i cili u miratua në Kuvendin e Kosovës më 4 dhjetor, është dekretuar nga ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani dhe tashmë si ligj do të nisë të zbatohet pasi që të publikohet në Gazetën Zyrtare.

Ligji për rimëkëmbjen ekonomike, është plotësimi dhe ndryshimi i disa ligjeve, me qëllim të rimëkëmbjes së ekonomisë pas efekteve negative të shkaktuara nga pandemia COVID-19. Ai është votuar nga 72 deputetë të Kuvendit të Kosovës, ndërkaq që nuk është përkrahur nga deputetët e subjektit më të madh opozitar, Lëvizjes Vetëvendosje. Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se ky ligj kap shifrën e rreth 600 milionë eurove. Ky ligj parasheh që kontributpaguesit mund t’i tërheqin 10 për qind të kursimeve pensionale në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës. Sipas këtij ligji, kontributpaguesit që kanë kursime pensionale deri në shumën 10 mijë euro, në rast të tërheqjes së 10 për qindëshit nga ana e tyre, Qeveria e Kosovës do ta kompensojë atë brenda pesë vjetëve të ardhshme.

Sipas këtij ligji, të gjithë punëtorët e sektorit privat të regjistruar si të papunë, e që kanë qenë në marrëdhënie pune deri në shtator 2020, por që nga muaji tetor 2020 janë liruar nga punëdhënësi si pasojë e ndikimit të COVID -19, të paguhen nga ana e qeverisë së paku tre deri në katër muaj përkatës. Po ashtu në bazë të ligjit do të themelohet granti në shumë prej 200 milionë eurosh, për ndihmë direkte financiare bizneseve, të cilat kanë vështirësi funksionimi si rezultat i ndikimit të COVID-19, ndërkaq që Qeveria e Kosovës do të lirojë nga TVSH-ja lëndën e parë, e cila prodhohet nga bizneset kosovare, pavarësisht se a eksportohet jashtë vendit apo jo.
Ky ligj parashikon edhe një sërë masash tjera lehtësuese për bizneset në Kosovë.

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet