Lajmi Fundit
Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqiperia, informacionet e fundit, lajmeshqip, lajmet, lajm nga vendi, lajme nga kosova, lajme rajoni, bota, live te fundit news 24

Kamerat filmuan vrasjen e efektivit të FSHN-së, kërkohen informacione për veprimtarinë e të vëllait në Angli

Një ditë pas vrasjes së efektivit të policisë Xhulio Prela në qytetin e Lezhës, policia ende nuk ka një autor të dyshuar, ndërsa ka zgjeruar hetimet dhe jashtë vendit. Hetuesit kanë kërkuar informacione në Britaninë e Madhe rreth veprimtarisë së vëllait të viktimës i cili jeton prej vitesh në emigrim. Grupi hetimor është fokusuar në pistën e vrasjes për shkak të detyrës si dhe një tentativë grabitjeje e cila ka përfunduar në përdorimin e armës.

Policia e Lezhës nën drejtimin dhe të një grupi të posaçëm hetimor të dërguar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, kanë zgjeruar pistën e hetimeve për të bërë të mundur zbardhjen e vrasjes së efektivit të FNSH-së, Xhulio Prela.

Një ditë pas ngjarjes, hetuesit kanë kërkuar informacione nga autoritetet angleze rreth vëllait të viktimës, i cili prej disa kohësh është emigrant në këtë shtet.

Krahas kësaj hetuesit janë fokusuar tek zbardhja e ndonjë konflikti të mundshëm që efektivi i policisë 26-vjeçar të ketë patur ditët e fundit të cilin nuk ia ka rrëfyer familjarëve apo miqve të tij.

Kjo për shkak të detyrës, pasi i riu shërbente në repartin e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Shkodër.

Përveç këtyre të dhënave policia gjithashtu ka ngritur dyshimet që i riu të ketë rënë preh e një grabitje që më pas ka përfunduar në ekzekutimin e të riut.

Dyshimet janë ngritur pasi i riu ka komunikuar në telefon para se të vritej, ndonëse kishte përshkuar disa metra rrugë në drejtim të Tiranës është kthyer sërish në vendin ku po e prisnin autoret pranë fshatit Gajush të Lezhës.

Kamera e sigurisë e një biznesi pranë vendit të ngjarjes kanë fokusuar momentin kur Xhulio Prela është afruar dhe ka biseduar me njërin nga personat që ndodheshin aty dhe më pas është qëlluar me armë zjarri.

Por në pamje është mjaft i vështirë identifikimi i automjetit të autorëve, duke qenë se aty pranë ka qenë i parkuar dhe një mjet i tonazhit të rëndë, i cili ka penguar pamjen e plotë.

Pamjet filmike të kamerës së sigurisë janë dërguar për analizë të specializuar bashkë me telefonin e viktimës.

Nga ana tjetër bëhet e ditur se pas ngjarjes, makina e autoreve është larguar përgjatë superstradës në drejtim të Laçit dhe pa shkuar në Milot janë futur në ndonjë rrugë dytësore.

Kjo është vërtetuar nga këqyrja e kamerave të sigurisë të bizneseve përgjatë superstradës në drejtim të Laçit pasi nuk shihet ndonjë automjet duke lëvizur pas ngjarjes.

Një ditë pas ngjarjes, vrasja me plumb në gjoks e efektivit 26-vjeçar vijon të jetë pa autor, ndërsa hetuesit ende nuk kanë persona të dyshuar.

Dëshmia e familjareve dhe bashkëpunëtoreve të 26-vjeçarit nuk e ka orientuar grupin hetimor pasi në deklarimet e tyre para hetuesve ata kanë thënë se i riu ishte njeri i qetë dhe nuk kishte shfaqur shqetësime për ndonjë konflikt të mundshëm.

26-vjeçari Prela u ekzekutua me armë zjarri pistolete në orët e para të mëngjesit të së shtunës, teksa po kthehej nga Hajmeli i Shkodrës ku kishte dërguar një mik të vëllait të tij, i cili kishte ardhur nga Anglia përmes aeroportit të Rinasit pak minuta pas mesnate.

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet