Projektligji për rimëkëmbje ekonomike, në duart e deputetëve të Kosovës

Kosovë&Rajon
Projektligji për rimëkëmbje ekonomike, në duart e

Në një seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Kuvendi i Kosovës të premten pritet të miratojë projektligjin për rimëkëmbje ekonomike.

Kjo seancë është mundësuar vetëm pas miratimit të projektligjit në Komisionin për Buxhet dhe Transfere, ku ishin futur edhe rekomandimet e dhëna nga partia opozitare, PDK.

Projektligji për rimëkëmbje ekonomike, që nga miratimi i tij në korrik nga Qeveria e Kosovës, kishte hasur në mospajtime ndërmjet partive në pushtet dhe atyre në opozitë.

Ky projektligj kishte arritur të miratohet në lexim të parë pas gjashtë dështimeve.

PDK-ja në vazhdimësi kishte refuzuar të miratojë projektligjin në lexim të dytë, pa i futur edhe rekomandimet e tyre.

Kjo parti ka propozuar të themelohet një fond i veçantë, i cili sipas tyre, do të shërbejë për t’i paguar të gjithë të punësuarit në sektorin privat, që kanë humbur vendet e tyre të punës si pasojë e pandemisë së koronavirusit.

“Të gjithë punëtorët e sektorit privat të regjistruar si të papunë, e që kanë qenë në marrëdhënie pune deri në shtator 2020, por që nga muaji tetor 2020 janë liruar nga punëdhënësi si pasojë e ndikimit të COVID -19, të paguhen nga ana e Qeverisë së paku tre deri në katër muaj përkatës me nga 300 euro në muaj”, thuhet në një nga propozimet e PDK-së.

PDK-ja ka propozuar, po ashtu, që të themelohet granti në shumë prej 200 milionë eurosh, për ndihmë direkte financiare bizneseve, të cilat kanë vështirësi funksionimi si rezultat i ndikimit të COVID-19.

Kompensim vetëm për kontributpaguesit që kanë deri në 10 mijë euro kursime pensionale

Qëllimi i projektligjit për rimëkëmbje ekonomike është plotësimi dhe ndryshimi i disa ligjeve, me qëllim të rimëkëmbjes së ekonomisë pas efekteve negative të shkaktuara nga pandemia COVID-19.

Ky projektligj ka paraparë që kontributpaguesit të mund t’i tërheqin 10 për qind të kursimeve pensionale në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Në këtë amendament të projekligjit, PDK-ja ka kërkuar disa ndryshime.

Sipas propozimit të PDK-së, deri në shumën 10 mijë euro, në rast të tërheqjes së 10 për qindëshit nga kontributpaguesi, Qeveria e Kosovës ta kompensojë atë brenda pesë vjetëve të ardhshme.

PDK-ja, po ashtu, ka propozuar që Qeveria e Kosovës të lirojë nga TVSH-ja lëndën e parë e cila prodhohet nga bizneset kosovare, pavarësisht a eksportohet jashtë vendit apo jo.

Projektligji për rimëkëmbje ekonomike ka paraparë që Fondi Kreditor Garantues i Kosovës, (FKGK) të autorizohet që të lëshojë garanci kreditore me përqindje të mbulesës nga 50 deri në 80 për qind.

ME TE LEXUARAT