Lajmi Fundit
Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqiperia, informacionet e fundit, lajmeshqip, lajmet, lajm nga vendi, lajme nga kosova, lajme rajoni, bota, live te fundit news 24

Ja 6 ilaçet që do jepen me rimbursim për pacientët me Covid dhe sa është vlera

Për pacientët me COVID-19 që ndiqen në kushte shtëpie vlera e rimbursimit të ilaçeve s’mund të jetë në asnjë rast më shumë se 10 900 lekë.

Kjo për pacientët me simptoma të mesme, pasi për ato me simptoma të lehta fatura e rimbursimit shkon 1650 lekë.

Gazeta zbardh sot medikamentet, të cilat ofrohen me rimbursim. Në listën e barnave që do të mbulohen nga fondi, janë përfshirë vetëm 6 medikamente, si: “Azithromycine”, “Acid Acetylsalicyclic”, “Rivaroxaban”, “Apixaban”, “Dexamethasone” dhe “Ibuprofen”.

Jashtë listës janë lënë suplementet, si “Vitaminë D” dhe “Vitaminë C”, të cilat edhe pse janë pjesë e skemës së trajtimit nuk janë përfshirë në paketën e rimbursimit. “Kohëzgjatja maksimale e trajtimit do të jetë jo më shumë se 1 muaj dhe nuk do të kalojë vlerën e rimbursimit sipas skemës së përcaktuar me vendim qeverie”, thuhet në udhëzimin e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) “Për trajtimin anti-COVID ambulator në banesë të personave të testuar pozitivë me Sars COV 2 nga mjeku i familjes.

Për të përfituar ilaçet me rimbursim, kusht ishte dorëzimi i përgjigjes së tamponit te mjeku i familjes. Një gjë e tillë është saktësuar edhe në udhëzimin e FSDKSH-së, ku thuhet ndër të tjera se “është mjeku i familjes që përcakton skemën e mjekimit që duhet të trajtohet pacienti i testuar pozitiv, në varësi të gjendjes dhe sëmundjeve bashkëshoqëruese”. Por, kjo mund të sillte vonese disaditore.

Pas shqetësimit të ngritur nga gazeta, Ministria duket se është tërhequr nga urdhri fillestar. Tashmë mjekët mund të lëshojnë recetën elektronike edhe për pacientët që s’kanë kryer tamponin por referojnë simptomat e COVID-19.

Por si funksionon skema e rimbursimit për pacientët me COVID-19 që ndiqen në kushte shtëpie? Nga Ministria u sqarua më herët se pas kontaktit me mjekun e familjes receta do të lëshohet elektronikisht dhe tërheqja e barnave mund të bëhet në farmaci me kodin përkatës.

“Paketa e mjekimit bazë përmban vitaminoterapi, antipiretikët, antibiotikët, antikoagulantët dhe kortizonikët, por është mjeku i familjes ai që përcakton se çfarë mjekimi duhet të marrë pacienti i diagnostikuar me COVID-19”, ka bërë me dije Ministria. Kështu për pacientët me simptoma të lehta, si lodhje, temperaturë jo e lartë (deri në 38 gradë C) kollë të thatë apo dhimbje fyti, bllokim i hundëve vlera që do të mbulohet nga buxheti i shtetit do të jetë jo më shumë se 1650 lekë. Kjo pasi në këto raste, pra kur infeksioni nuk jep komplikacione, por vetëm disa simptoma të lehta edhe trajtimi është me vitamina, lëngje, shurup për kollën dhe trisol.

Konkretisht, nëse mjeku përshkruan një recetë me vlerë 2500 lekë, pacienti apo familjari i tij do të paguajë vetëm diferencën, pra 850 lekë, pjesa tjetër do të mbulohet nga buxheti i shtetit. Ndërsa për pacientët, të cilët ndodhen në stadin e dytë të sëmundjes, për të cilët mjekimi është me antibiotikë, vlera e rimbursimit është 10 900 lekë. Pacientët të cilët ndodhen në këtë stad të sëmundjes, veç shenjave të përgjithshme: si këputja, temperaturë që zgjat mbi 5 ditë, kolla, mialgjia dhe shenjat respiratorë, të cilat janë më të theksuara se në formën e lehtë, kanë edhe pneumoni, kjo e fundit vihet re përmes ekografisë apo skanerit.

“Në rast temperature të zgjatur, toksikozë të shprehur, kollë me sputum e rëndim të frymëmarrjes mund të përdoren për 7 ditë, ose “azotramicina” (tablet 0.5 x1 në ditë) për 3 ditë apo edhe “moxifloxacina” 400 mg x 1 ditë për 5 ditë, ose “levofloxacina” 500 mg një tabletë në ditë”, vihet në dukje në udhëzimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Për këto pacientë, që gjenden në këto kushte fatura do të rimbursohet deri në 10 900 lekë. Vendimi i qeverisë për të rimbursuar ilaçet për pacientët me COVID-19 që ndiqen në kushte shtëpie, vjen kur kanë kaluar 9 muaj nga pandemia. Kjo skemë nuk ka fuqi prapavepruese, çka nënkupton që personat të cilët e kanë kaluar sëmundjen, nuk do të kompensohen.

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet