Kreu i Ballit Kombëtar Demokrat, Artur Roshi, në fjalën e tij në parlament, foli ndër të tjera edhe për ngritjen e Komisionit Hetimor për UÇK-në.
Roshi theksoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka kryer luftë të pastër, kurse shtoi se maxhoranca po e përdor kauzën e UÇK-së për arsye elektorale.
“UCK ka bërë luftë të drejtë. Mos e përdorni për kauzë elektorale. Komisioni Hetimor, nëse ngrihet për motive të ulëta, finalja do jetë e kundërta e asaj që prisni. Ndërkombëtarët, ndryshe nga se e mendoni ju, kanë drejtësi dhe siç ndihmuan UÇK-në gjatë luftës, do ndihmojnë edhe liderët e saj. Unë kam besim se udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të dalin faqebardhë”, tha Roshi.
Artur Roshi u shpreh më tej se qeveria shqiptare po largon investitorët e huaj nga Shqipëria.
“Qëndrimi i qeverisë ka bërë që investitorët e huaj kzanë ikur nga vendi ynë. Një investitor i huaj iku me këmbë të thyer. Ata që vijnë nuk kanë besim t’i japin qeverisë para në cash, sepse nuk kanë besim tek qeverisja. Ju urreni biznesin. Filozofia e së majtës ka qenë dhe është kundër biznesit, kundër parasë që rrjedh nga biznesi. Duhet ligj i ridimensionuar për investimet”, deklaroi Roshi.