Nis shpërndarja e vaksinave kundër gripit sezonal në Kosovë

Kosovë&Rajon
Nis shpërndarja e vaksinave kundër gripit sezonal në Kosovë

Në Kosovë ka nisur shpërndarja e 160,500 vaksina kundër gripit sezonal, që Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka blerë përmes UNICEF-it.

Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj tha se janë duke siguruar edhe 50,000 vaksina të reja kundër gripit sezonal.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Është dyfishi i vaksinave të siguruara nga viti i kaluar dhe shpresojmë që gjithçka do të shkojë në rregull, qytetarët do të vaksinohen, grupet të cilat quhen të rrezikuar dhe janë të nevojshme që ta marrin këtë vaksinë”, tha Zemaj, duke shtuar se këto vaksina do të jenë falas.

Ndërkaq, shefi i zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin tha se arritja e vaksinave kundër gripit sezonal është një lajm i mirë për Kosovën dhe shtoi se janë duke punuar që shumë shpejt të arrijnë edhe vaksinat kundër sëmundjes COVID-19, që shkakton koronvirusi i ri.

“Ne do të punojmë ngushtë në shpërndarjen e vaksina kundër gripit sezonal. Është një ditë e rëndësishme për Kosovën, ky është një bashkëpunim i ngushtë me Qeverinë e Kosovës. Ne po ashtu po punojmë ngushtë që të sjellim edhe vaksinat kundër COVID-19 sa më shpejt që të jetë e mundur. Kemi një grup të vogël që po punon për çështjen e vaksinave për COVID-19”, tha Sahin.

Ministri Zemaj po ashtu tha se gjatë të hënës do të mblidhet Bordi këshillëdhënës për menaxhimin e pandemisë së koronavirusit, ku do të diskutohen masat e reja. Ai përmendi si mundësi edhe shkurtimin e gjysmëvjetorit të vitit shkollor si dhe kufizime të lëvizjes në disa komuna. Por, ai tha se për të gjitha këto, do të diskutohet gjatë kësaj mbledhjeje.

Këtë vit është paraparë që në Kosovë të vaksinohen rreth 500,000 njerëz kundër gripit sezonal.

Infektologët në Kosovë më herët kanë thënë se është e nevojshme që qytetarët të vaksinohen kundër gripit sezonal sa më shpejtë që të jetë e mundur. Sipas infektologu Sali Ahmeti, infektimi me gripin sezonal e ulë imunitetin e popullatës, andaj janë më të rrezikuar që të sëmuren me COVID-19.

ME TE LEXUARAT