Lajmi Fundit
Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqiperia, informacionet e fundit, lajmeshqip, lajmet, lajm nga vendi, lajme nga kosova, lajme rajoni, bota, live te fundit news 24

Joe Biden fiton zgjedhjet në një tjetër shtet në SHBA

Zyrtarët e Arizonës çertifikuan fitoren e ngushtë në këtë shtet të Joe Bidenit ndaj Presidentit Donald Trump.

Sekretarja demokrate e Shtetit Katie Hobbs dhe Guvernatori Republikan Doug Ducey këmbëngulën në integritetin e zgjedhjeve edhe pse avokatët e zotit Trump edhe të hënën argumentuan tek nëntë ligjvënës republikanë se zgjedhjet u shoqëruan me manipulime, por pa ofruar prova mbi këto pretendime.

Zoti Ducey tha se “ne i zhvillojmë mirë zgjedhjet këtu në Arizona. Sistemi është i fortë”.

Zoti Biden e fitoi Arizonën me 0.3 për qind më shumë ose me një diferencë pak më poshtë se 10,500 vota, nga rreth 3.4 milionë votave të hedhura gjithsej në këtë shtet. Ai është demokrati i dytë në 70 vite që fiton Arizonën.

Çertifikimi gjithashtu i hap rrugën demokratit Mark Kelly për të marrë vendin e tij në Senatin amerikan, duke zyrtarizuar fitoren e tij në një proces zgjedhor të veçantë për të zëvendësuar të ndjerin John McCain. Zoti Kelly pritet të bëjë betimin të mërkurën në Uashington.

Presidenti i zgjedhur Joe Biden po bën përgatitjet e para zyrtare për inaugurimin e tij më 20 janar, duke bërë publike emrat e komitetit përurues që do të koordinojë veprimtaritë për ditën që ai dhe Nënpresidentja e zgjedhur Kamala Harris do të marrin detyrën.

Zoti Biden pritet të emërojë presidentin e universitetit shtetëror të Delauerit, Tony Allen për të shërbyer si shef ekzekutiv i komitetit përurues presidencial dhe shefin operativ të fushatës Maju Varghese si drejtor ekzekutiv të grupit.

Komiteti përurues punon në koordinim me grupin e planifikimit të Kongresit për të bashkërenduar ceremoninë në Kapitol si dhe organizon ballon zyrtare dhe aktivitete të tjera që lidhen me betimin. Formati i aktiviteteve mbetet i paqartë ndërsa infektimet e reja me koronavirus vazhdojnë të rriten në të gjithë vendin.

Në një deklaratë të hënën, komiteti përurues tha se do të punojë duke patur “përparësi garantimin e sigurisë për njerëzit dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19-s gjatë përfshirjes së të gjithë amerikanëve” në festime.

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet