Negociatat, Wadephul apelon që Shqipëria të përmbushë parakushtet e BE-së

Politikë
Negociatat, Wadephul apelon që Shqipëria të përmbushë

Dy javë para se BE-ja të marrë vendimin përkatës për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, nënkryetari i grupit parlamentar të CDU/CSU-së në Bundestagun Gjerman, Johann David Wadephul, ka shprehur dyshime se çelja e negociatave të BE-së me Shqipërinë mund të fillojë qysh në fund të dhjetorit.

Wadephul tha në një takim me gazetarët e huaj në Berlin, se nëse Maqedonia e Veriut arrin një zgjidhje me Bullgarinë, atëherë dera për të është e hapur. Për Shqipërinë, ai vuri re se duhet të plotësohen ende kushtet e vendosura nga Bundestagu dhe BE-ja.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Kushtet nuk janë plotësuar tërësisht

Më 26 shtator 2019 vendosëm si parlament për çeljen e negociatave me Shqipërinë. Kjo më kushtoi mua shumë energji, tha Wadephul, por ne vendosëm disa parakushte dhe nëse ato nuk plotësohen, atëherë do ta kem të vështirë t’i bind kolegët e grupit tim parlamentar që ta shoqërojnë pozitivisht procesin. „Është detyra e deputetëve të grupit tim parlamentar në Komisionin e Jashtëm dhe atë të BE-së që të sigurojnë që këto parakushte të merren seriozisht dhe të zbatohen plotësisht“.

Bundestagu Gjerman miratoi më 26 shtator 2019 hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Çelja e konferencës së parë ndërqeveritare, që do të thotë edhe hapja faktike e negociatave, u lidh me dy kushte: funksionimi i Gjykatës Kushtetuese dhe i Gjykatës së Lartë dhe reforma e Kodit Zgjedhor, e cila duhet të ishte gjithëpërfshirëse. Veç të tjerash, aty parashikohej edhe rregullimi i sistemit të financimit partiak.

Vërejtje për reformën zgjedhore

Konstatimi për mosfunksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë është i dukshëm, tha Wadephul: E para ka emëruar deri tani vetëm 4 nga gjithsej 6 gjyqtarët e duhur për vendimmarrje, e dyta vetëm tre nga 19.

Përsa i përket kushtit të dytë, Wadephul tha se reforma zgjedhore vërtet që u arrit në një proces përfshirës, më 5 korrik, dhe kaloi në Kuvend më 23 korrik. “Por, një pjesë e rëndësishme e saj u shfuqizua në një proces përjashtues, konkretisht, duke futur sistemin e listave të hapura, në vend të koalicioneve zgjedhore. Kjo procedurë përjashtuese bie në kundërshtim me kërkesën e Bundestagut për një proces përfshirës, i cili u rekomandua edhe nga OSBE-ja,” – tha deputeti kristiandemokrat.

Ai tha gjithashtu se sa i përket financimit të partive, janë bërë përparime, por ndryshimet nuk kanë arritur ende standardet e kërkuara nga Evropa. Konkluzionet e Wadephul-it vijnë një ditë pasi në Tiranë ishte publikuar raporti i fondacionit Konrad Adenauer (KAS), fondacioni ky i afërt me partinë, së cilës i përket Wadephul dhe kancelarja Angela Merkel. Ndryshe nga raporti i mëparshëm, i dalë në pranverën e këtij viti, ku sistemi i qeverisjes së socialistëve në pushtet konsiderohej gati autokratik, raporti aktual është më i ekuilibruar dhe mban titullin: Dritë dhe hije – një analizë e parakushteve të BE-së për Shqipërinë.

Tri kushte të BE-së të paplotësuara

Si KAS ashtu edhe Wadephul vërejnë se veç kushteve të caktuara nga Bundestagu, Shqipëria nuk i ka plotësuar tërësisht as tri nga katër kushtet e caktuara nga Këshilli i BE-së, në mars këtij viti. Kështu, Byroja Kombëtare e Hetuesisë deri tani ka caktuar vetëm drejtoreshën. 60 hetues të tjerë ndodhen në procesin e përzgjedhjes çka nuk pritet të mbarojë në fillim të dhjetorit, konstatohet në raportin e KAS-it.

Po ashtu lufta kundër korrupsionit dhe larjes së parave, sipas KAS-it, ka përparime në aspektin e ndryshimit të dispozitave ligjore, por nga ana tjetër, korrupsioni dhe larja e parave kanë pësuar rritje. KAS-i i referohet kështu deklaratave të kohëve të fundit të prokurorit të përgjithshëm të Shqipërisë, Olsian Çela, për luftën mes bandave në Elbasan, por edhe raporteve të Transparency International, dhe disa institucioneve të tjera ndërkombëtare.

Vërejtje kanë si KAS ashtu edhe Wadephul për ligjin e medias, i cili nuk i ka marrë parasysh propozimet e Komisionit të Venecias.

Marrëveshje për kuadrin negociues me pikëpyetje

I pyetur se çfarë vendimi mund të pritet në samitin e rregullt të Këshillit të BE-së më 10./11. 12 2020, i cili këtë vit zhvillohet nën kryesinë gjermane, Wadephul u tha korrespondentëve të huaj në Berlin, se “shpreson që të ketë përparime” si për Maqedoninë e Veriut ashtu edhe për Shqipërinë. Wadephul nuk e konkretizoi se çfarë përparime mund të priten.

Burime diplomatike nga Berlini i sqaruan DW-së, se e shumta pritet një marrëveshje për kuadrin negociues, por pa datë. Por vëzhguesit nga Berlini parashikojnë se ka pak gjasa që kjo të ndodhë, nëse nuk arrihet më parë një kompromis mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Edhe Wadephul vuri në dukje se konsensusi në vendet e BE-së për çeljen e negociatave me Maqedoninë e Veriut është shumë më i madh se sa për Shqipërinë. Përsa i përket Shqipërisë, ai tha se ka edhe vende të tjera dyshuee, si Holanda dhe vendet skandinave.

Apel ndaj Bullgarisë

Për momentin Bullgaria po bllokon edhe çeljen e konferencës së parë ndërqeveritare, edhe miratimin e kuadrit negociues për Maqedoninë e Veriut. Wadephul u bëri thirrje dy vendeve fqinje që mosmarrëveshjet t’ua lënë historianëve. „Ballafaqimi me historinë është i nevojshëm. Këtë e dimë ne si gjermanë fare mirë, por ai nuk duhet të jetë kurrë parakusht për anëtarësimin në BE“, tha deputeti gjerman./DW

ME TE LEXUARAT