Lajmi Fundit
Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqiperia, informacionet e fundit, lajmeshqip, lajmet, lajm nga vendi, lajme nga kosova, lajme rajoni, bota, live te fundit news 24

Bashkia Dimal dërgon fadromat për prishjen e një ndërtese, IKMT dhe pronarët konfliktohen me policinë

Një konflikt për pronën mes inspektorëve të IKMT-së dhe pronarëve të një banese ka ndodhur sot në fshatin “Poshnje” në Urë-Vajgurore tashmë me emrin Dimal. Bashkia Dimal ka dërguar për prishjen e një prone punonjësit e IKMT, pas një vendimi të marrë në mbledhje e Këshillit Bashkiak për lirimin e hapësirave publike.

Mbërritja e fadromave për prishjen dhe e forcave të shumta të policisë ka arritur pronarët e banesës, të cilët janë konfliktuar me ta, duke mos lejuar prishjen. Pronari i banesës 3-katëshe, Petrit Baho ka deklaruar se e gjithë banesa e tij 3-katëshe është e pajisur me certifikatë të rregullt pronësie dhe bashkia Dimal nuk i ka bërë asnjë njoftim për prishjen. Baho ka deklaruar se konflikti mes tij dhe bashkisë Dimal vijon prej muajsh dhe se ai është në proces gjyqësor me bashkinë, të cilën e ka paditur për shkeljet që ka bërë me pronën e tij. Sipas Bahos, vendimi që ka marrë bashkia Dimal për prishjen e gjithçkaje që ai disponon me certifikatë pronësie edhe përreth banesës, është vendim i paligjshëm që bëhet për të favorizuar ish-kryetarin e Partisë Socialiste në Urë-Vajgurore.

Përfaqësuesja ligjore e Petrit Bahos, avokatja Flutura Eski, shprehet se bashkia Dimal po vepron në kundërshtim të plotë me ligjin, për aq kohë sa çështja penale për truallin dhe gjithçka përreth banesës së Bahos, që pretendohet se është pronë e bashkisë, është në gjykim.

“Deri sa të shprehet Gjykata e Rrethit Berat në lidhje me pretendimin e bashkisë Dimal për pronësinë mbi pronën e Petrit Bahos, bashkia Dimal s’ka asnjë të drejtë ligjore të ekzekutojë një vendim për prishje. Bashkia po vepron në mënyrë arbitrare dhe inspektorët e IKMT-së nuk u kanë dorëzuar pronarëve të banesës asnjë vendim për prishje”, ka thënë avokatja Flutura Eski.

Të pyetur në lidhje me këtë vendim të marrë nga bashkia Dimal, inspektorët e IKMT-së kanë pohuar jashtë kamerave se muret rrethuese, porta hyrëse dhe veranda e banesës janë pronë e bashkisë. Sipas tyre, Petrit Baho ka në pronësi të tij vetëm 97.6 metër katror truall + ndërtesë, ndërsa pjesa tjetër i përket bashkisë. Ata kanë deklaruar se prishja po kryhet për lirimin e hapësirave publike, në këtë rast për ta kthyer në lulishte për fëmijët e kopshtit Poshnje, që ndodhet ngjitur me banesën e Bahos.

Petrit Baho dhe bashkëshortja e tij janë vendosur përpara portës hyrës të shtëpisë dhe nuk kanë lejuar fadromën e IKMT-së t’i afrohet banesës, duke u konfliktuar me ta. Të gjendur përpara rezistencës së pronarëve të banesës, avokates së pronarit Petrit Baho dhe mediave, inspektorët e IKMT-së nuk e kanë vijuar prishjen në këtë zonë.

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet