Partia Demokratike Korçë denoncoi mungesën e oksigjenit për pacientët me koronavirus, të shtruar në spital. Në një reagim për mediat, dega e PD tha se aparaturat e oksigjenit nuk funksionojnë, duke i lënë kështu të shtruarit në mëshirë të fatit.
“Dega e PD të Korçës denoncon me shqetësim të thellë situatën e paprecedentë me të cilën po përballen të prekurit nga COVID-19, që trajtohen në Spitalin e Korçës. Prej disa ditësh, gjysma e dhomave të Senatoriumit dhe vetëm dy dhoma të repartit infektiv, ku janë hospitalizuar të sëmurët me COVID në gjendje të rëndë, janë të pajisura me linja oksigjeni. Jo vetëm kaq! Edhe në ato dhoma ku janë instaluar linja oksigjeni, presioni i tij është aq i ulët, sa nuk funksionojnë aparaturat. Është e qartë për të gjithë çfarë pasojash fatale sjell mungesa e oksigjenit për pacientët, që luftojnë për të mbijetuar.”
Për selinë blu, kjo është një provë e pakundërshtueshme që sistemi shëndetësor është dorëzuar përballë pandemisë.