Gjermania dhe Ukraina: Ndërmjetësime ilegale për punë

Bota
Gjermania dhe Ukraina: Ndërmjetësime ilegale për punë

Industria e mishit në Gjermani pati verën e kaluar shumë raste infeksionesh me COVID. Por ky sektor kritikohet jo vetëm nga mungesa e kushteve të higjenës, por edhe për punësimet nga Europa Lindore me kushte të këqija.

Maximi nga Ukraina ka qenë një prej këtyre punonjësve. Ai tregon cilat kanë qenë metodat që e kanë joshur atë të vijë në Gjermani dhe pse policia gjermane i shkoi në banesë. Meqënëse i intervistuari nuk dëshiron të identifikohet, ne e quajmë atë Maksim. Për herë të parë e takuam Maksimin, në fillim të muajit shtator. Ai vjen nga një qytet i vogël në Ukrainën Perëndimore, ku ka punuar në gastronomi.

Por Maksimi donte të fitonte më shumë para, dhe kërkoi në verë në internet për të gjetur mundësi pune në Gjermani, në fund gjeti diçka. „Unë iu drejtova një firme ukrainase që merret me ndërmjetësime pune. Siç thonin ata, punë legale. Prej tyre mora një dokument, me të cilin mund të udhëtoja në Gjermani dhe të shkoja në qytetin Weißenfels, ku do të punoja në një fabrikë mishi për 9,35 euro orën.”

Portali ukrainas i ndërmjetësimit të punës “International Work” me qendër në Kiev, organizoi për të dhe të rinj të tjerë në kërkim të punës transferimin për në Gjermani. Me mikrobus ata u nisën nga Ukraina për në Gjermani, në vendin e punës dhe bashkë me ta edhe dikush që i shoqëronte.

Në fakt duke mos qenë qytetar i një vendi të BE-së, hyrja në Gjermani nuk do të kishte qenë aq e lehtë. Por Maksimi thotë, se ndërmjetësuesit e punës i patën dhënë dokumenta të fallsifikuara. Në to thuhej se ai është student, që kërkonte të punonte gjatë verës. Në të vërtetë ai nuk ka qenë kurrë student. Për ndërmjetësimin e punës firma kërkoi 500 euro. Kur ai u pati thënë se nuk është student dhe çfarë të bëjë me këto dukumenta për studentë, ata i thanë „Mos u shqetëso, se nuk ka ndonjë problem.”

Dhjetëra punëtorë sezonalë me dokumente të fallsifikuara

Kështu si Maksimi erdhën në fabrikën e mishit në Saksoni dhjetëra punëtorë sezonalë. Me të njëjtat kushte ndërmjetësimi për punë: punë si student gjatë pushimeve të verës. Para se të niseshin disave prej tyre u thanë për t’u marrë me punë krejt të tjera nga ato të prerjes së mishit. Edhe një gruaje, të cilës po ia vemë emrin Maryna, iu tha kështu. „Kishte tri lloj punësh që mund të zgjidhje, një punë „në supermarkatë”, një në „dyqan ëmbëlsirash” dhe një në „furrë buke”. Por ne përfunduam në një vend krejt tjetër, në një fabrikë për përpunimin e mishit. Puna aty ishte shumë e vështirë, si për vajzat edhe për djemtë. Vajzat ngrinin arka të rënda me mish dhe produkte mishi, arka që peshonin 25 deri 30 kg”.

Puna e gjoja studentëve fillonte në mes të muajit shtator dhe zgjaste pesë ditë. Autoriteteve gjermane iu duk i çuditshëm ky ndërmjetësim pune në fabrikë mishi, ndaj bënë kontrolle në banesat e tyre. Pasi lanë punën ukrainasit kuptuan se policia u kishte kontrolluar banesën. Maksimi tregon: „Kur u ktheva në shtëpi pashë derën e prishur. Brava ishte zëvendësuar nga një bravë e re. Brenda gjetëm një letër nga përkthyesi ynë ku thuhej se policia kishte kontrolluar banesën, kishte thyer bravën dhe kishte vendosur një bravë të re.”

Aksioni i policisë më 23 shtator ishte koordinuar ekzaktësisht. Punonjësit kontrolluan banesën e punonjësve ilegalë dhe zyrat e agjencisë së ndërmjetësimit. Në pesë landet gjermane në aksion morën pjesë 800 policë.

Në fokus të autoriteteve: Firmat e punës sezonale, që sjellin në Gjermani punonjës me dokumenta të fallsifikuara. Edhe të rinjtë ukrainas merren në pyetje nga prokuroria gjermane. Atyre u kërkohet të largohen nga Gjermania, dhe u ndalohet hyrja në Gjermani tre vjetët e ardhshme. Për prokurorinë ata kanë kryer vepër penale, por ata janë njëkohësisht edhe viktima.

Çështja para drejtësisë

Hans-Jürgen Neufang nga Prokuroria e Përgjithshme Naumburg në Sasoni-Anhalt thotë: “Kemi të bëjmë me, le të themi, një shkelje. Hyrja pa leje në Gjermani dhe puna pa letra nuk përbëjnë krime. Këto janë shkelje. Nëse dikush nuk ka pasur deri tani ndonjëherë të bëjë me drejtësinë, ka shumë mundësi që ne t’ia pezullojmë procesin.”

Maksimi dhe të tjerët kanë qenë të punësuar gjatë kohës së qëndrimit si punonjës sezonalë nga firma gjermane për punonjëse sezonalë “Berkana”, e cila ia ka huazuar fabrikës së mishit. Prokuroria gjermane ka hapur një proces kundër kësaj firme, e cila nuk dëshiron të flasë me ne. Nëse dënohen, ndërmjetësuesit ka rrezik të marrin dënime të larta. Hans-Jürgen Neufang nga Prokuroria e Përgjithshme Naumburg, Sachsen-Anhalt: „Sepse në këtë vepër penale kemi të bëjmë me një krim: që do të thotë se dënimi fillon me një vit heqje lirie. Për secilin rast të veçantë”.

Ne kërkojmë në internet për portalin ukrainas të ndërmjetësimit të punës „International Work”, që ka organizuar vajtjen në Gjermani për Maksimin dhe të tjerët. Kjo firmë ende kërkon punonjës për t’i dërguar për punë në BE. As International Work nuk i kthen përgjigje pyetjeve tona. Shumë prej punëve që ofrohen në Gjermani na duken krejt të pamundura për shkak të kufizimeve prej pandemisë së Coronës.

Shumë të rinj ukrainas kërkojnë punë që paguhen më mirë jashtë vendit. Dhe ata kthehen në viktima të ndërmjetësuesve kriminelë të punëve. Në fund fare ata kanë dhënë shumë para për ndërmjetësimin e punës, hyjnë në probleme me autoritetet gjermane dhe nuk fitojnë asgjë. Maksimi na thotë se ai ka nxjerrë mësime nga kjo përvojë. „Tani unë do të kontrolloja me saktësi çdo gjë. Unë do të pyes specialistët për të marrë informacione për rrugën që duhet ndjekur dhe jo siç u nisa atëherë, pa e ditur ku po shkoj dhe përse. Sepse pa e ditur se ku po shkon, jo vetëm që dëbohesh nga autoritetet, por përfundon edhe në burg.” Maksimi dhe të tjerët tani duhet të kthehen në atdhe pas një udhëtimi në Gjermani, që e patën menduar krejt ndryshe.

ME TE LEXUARAT