Soreca: Pandemia e Covid-19 solli valë lajmesh të rreme!

Aktualitet
Soreca: Pandemia e Covid-19 solli valë lajmesh të rreme!

Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca tha se pjesë e pasojave që pandemia e COVID-19 solli me vete ishin edhe fabrikimi i shumë lajmeve të rreme dhe keqinformimit.

Soreca foli edhe për sulmet që u bëhen mediave dhe gazetarëve gjatë denoncimit të tyre duke thënë prerë se këto raste duhet të kenë tolerancë zero, qoftë kjo edhe në diskursin politik.

Këto deklarata Soreca i bëri gjatë forumit të 6-të të OSBE-së për Zhvillimin e Medias, i cili trajtoi problematikat me lirinë e shtypit shqiptar, ndërsa nxiti autoritetet shqiptare për krijimin e një mjedisi të favorshëm për lirinë e medias.

“Në raportin e vitit 2020 për Shqipërinë të botuar muajin e kaluar, Komisioni theksoi shqetësimet e tij serioze se Shqipëria nuk ka bërë përparim në fushën e lirisë së shprehjes.

Komisioni raportoi raste të dhunës policore ndaj gazetarëve në kontekstin e demonstratave. Ai bëri thirrje për tolerancë zero ndaj frikësimit, kërcënimeve dhe sulmeve kundër gazetarëve dhe medias, përfshirë në diskursin politik.

Këshilli nënvizoi se ndryshimi i ligjit për median në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias mbetet një përparësi e rëndësishme.

Është koha për të ndjekur procesin e konsultimit me komunitetin e medias mbi draftin e ndryshimeve në lidhje me ligjin për median, duke marrë parasysh ekspertizën e aktorëve ndërkombëtarë, në mënyrë që të sigurohet një ndikim pozitiv i paketës legjislative mbi lirinë e shprehjes", tha Soreca.

ME TE LEXUARAT