Lajmi Fundit
Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqiperia, informacionet e fundit, lajmeshqip, lajmet, lajm nga vendi, lajme nga kosova, lajme rajoni, bota, live te fundit news 24

Biden: Duhet një komandant i përgjithshëm për të luftuar covid-19

Presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden deklaroi të mërkurën se beteja kundër koronavirusit “është si të hysh në luftë. Duhet një komandant i përgjithshëm”. Zoti Biden pritet të bëhet presidenti i 46-të i SHBA, pas ceremonisë së betimit më 20 janar.

Gjatë një tryeze të rrumbullakët të zhvilluar përmes internetit me punonjës të kujdesit shëndetësor, të cilët ai i quajti heronj në betejën me koronavirusin, zoti Biden parashikoi: “Do të bëj gabime. Por ju premtoj se do t’i pranoj kur t’i bëj dhe do të marrë përgjegjësi”.

Zoti Biden tha se kur të vijë në detyrë, do t’u kërkojë guvernatorëve të shteteve të bëjnë të detyrueshme vënien e maskave, testet, gjurmimin e personave që kanë qenë në kontakt me të infektuar si dhe distancimin fizik. “Do të përdor Ligjin e Autorizimit për Mbrojtje, do të përdor autoritetin e postit. Fjalët e një presidenti amerikan kanë rëndësi,” tha ai.

Presidenti i zgjedhur, Joe Biden shtoi se ka rëndësi që fëmijët të kthehen në shkolla sepse “do të mbeten prapa” nga gjithë këto mungesa në shkollë për shkak të pandemisë. Ndërkohë që vazhdonte diskutimi, qyteti i Nju Jorkut deklaroi se po mbyllte klasat në shkolla publike, për ta vazhduar mësimin përmes internetit, si rezultat i shtimit të ritmeve të infektimit.

Ky qytet arriti brenda një jave ritmet shqetësuese me 3% të infektuar ndër personat e testuar, duke çuar në vendimin e marrë nga kryebashkiaku, Bill de Blasio.

Infermierët dhe punonjës të tjerë të shërbimeve jetike e informuan zotin Biden për sfidat me të cilat ndeshen, përfshirë mungesa në pajisjet mbrojtëse dhe mjete të tjera të nevojshme për të luftuar pandeminë. “Ideja që spitalet duhet të konkurrojnë me njëri-tjetrin” për rezervat e nevojshme me pajisje mbrojtëse “është absurde,” tha zoti Biden.

Duket se po afron një krizë në reagimin spitalor në shkallë kombëtare, ndërkohë që numri i të sëmurëve me COVID-19 është rritur në të 50 shtetet amerikane dhe ndërkohë që afron Festa e Falenderimeve kur shumë amerikanë udhëtojnë për ta kaluar festën me familjet e tyre.

Mbi 11.4 milionë vetë janë identifikuar në SHBA si të prekur nga koronavirusi, ndërsa të mërkurën vendi shënoi 250,000 të vdekur nga sëmundja, sipas statistikave të përpunuara nga Universiteti Johns Hopkins.

Zoti Biden gjithashtu fajësoi Administratën për Shërbime të Përgjithshme se nuk ka njohur fitoren e tij në zgjedhje dhe nuk lejon zyrtarë federalë, përfshirë ata që merren me luftën kundër koronavirusit, të bashkëpunojnë me ekipin e tij të tranzicionit. Administrata për Shërbime të Përgjithshme është një agjenci federale që është përgjegjëse për riparime, mirëmbajtje dhe organizim funksional të mjediseve ku operojnë entitete të qeverisë federale.

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet