200 minatorë të Trepçës në grevë

Kosovë&Rajon
200 minatorë të Trepçës në grevë

Minatorët e kombinatit metalurgjik “Trepça” kanë hyrë në grevë brenda minierës, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë, Gani Osmani nga Sindikata e Punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje.

Ai tha se edhe përkundër paralajmërimit të Qeverisë se janë ndarë 1 milion euro për Trepçën, ato nuk janë alokuar në xhirollogarinë e ndërmarrjes dhe punëtorët nuk i kanë marrë pagat e muajit tetor.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Për momentin janë 200 minatorë brenda minierës ata janë ndarë në horizonte dhe kanë thënë se nuk do të dalin nga greva derisa të marrin pagat”, tha Osmani.

Qeveria e Kosovës më 13 nëntor ka konfirmuar se ka ndarë mbi një milion euro për kombinatin metalurgjik “Trepça”, si zgjidhje për tejkaluar problemet financiare në të cilat ndodhet aktualisht kjo kompani.

Kryeshefi i Trepçës, Hysen Vrajolli i pati dhënë Radios Evropa e Lirë se ndërmarrja Trepça ka një borxh prej rreth pesë milionë euro ndaj Distribucionit të Furnizimit me Energji Elektrike (KEDS) dhe operatorëve tjerë.

“Trepça” është shoqëri aksionare ku 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës, kurse 20 për qind janë aksione të punonjësve të kësaj ndërmarrjeje.

Kombinati metalurgjik “Trepça”, gjendet në Komunën e Mitrovicës. Sektorët e tij gjenden në pjesën veriore dhe atë jugore të qytetit.

ME TE LEXUARAT