Lleshaj: Masa për drejtuesit e policisë që nuk kanë dijeni për parcelat e kanabisit

Politikë
Lleshaj: Masa për drejtuesit e policisë që nuk kanë dijeni

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, pas analizës së zhvilluar me strukturat drejtuese të DVP Shkodër dhe komisariatet e kësaj Drejtorie dha edhe një deklaratë të shkurtër për mediat.

Ai u shpreh se janë ndëshkuar disa drejtues të policisë lidhur me evidentimin e parcelave me kanabis në vendin tonë.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

"Sapo përfunduam një takim që lidhet me analizën që po bëjmë në përfundim të angazhimit të Policisë në Shkodër kundër tentativave për kultivimin e kanabisit.

Konstatojmë me kënaqësi që puna e bërë gjatë këtij viti, për të goditur çdo tentativë kundër kanabisit në Qarkun e Shkodrës, ka dhënë rezultate shumë të mira.

Ashtu si në gjithë Shqipërinë, edhe në Shkodër është goditur fort në të gjitha skajet, sepse tashmë kanabisi ka mbërritur në skajet më të larta të territorit të vendit, si në Shkodër dhe në të gjithë Shqipërinë.

Në parcela të vogla, tentativa të shkëputura por gjithsesi angazhimi ynë është për ta goditur në vijueshmëri.

Analiza e sotme nuk ishte thjesht analiza e vitit 2020, por ishte edhe fillimi i operacionit për vitin 2021, operacion, i cili do të synojë ta konsolidojë më tej suksesin e arritur dhe ta zhbëjë përfundimisht kanabisin nga historia e angazhimeve tona."-tha ministri Lleshaj.

Pyetje: Z. Ministër në një mbledhje në muajin maj, keni thënë që evidentohet parcela me kanabis në Shkodër apo të gjithë Shqipërinë, të parët, për të cilët do të merren masa, do të jenë drejtues të policisë.

Në Shkodër janë evidentuar vazhdimisht, madje kemi pasur edhe dy vrasje të bëra për shkak të kultivimit të lëndëve narkotike. Janë marrë masa siç keni thënë?

Ministri Lleshaj: Sigurisht që masat merren atëherë kur konstatimi bëhet dhe konstatohet njëkohësisht që drejtuesit janë jashtë dijenisë.

Në qoftë se konstatimet dhe goditjet bëhen nga vetë strukturat, atëherë nuk ka vend për goditje, sepse ne nuk mund të godasim një drejtues, i cili godet fenomenin e kanabisit.

Kur kemi pasur konstatime nga lart, pra kur Drejtoria Qendrore ka arritur të konstatojë gjëra që në nivelin vendor nuk kanë qenë të njohura, atëherë ka pasur masa edhe për drejtues të strukturave vendore.

Besoj ju keni dijeni për këtë, edhe për Qarkun e Shkodrës konkretisht.

Pyetje: Si verifikohet që nuk kanë pasur dijeni? Si mund të verifikohet që drejtues të policisë nuk e njohin territorin pëllëmbë për pëllëmbë?

Ministri Lleshaj: Në qoftë se konstatimi bëhet nga lart, pra në qoftë se strukturat eprore gjejnë bimë narkotike në territor, të panjohur nga strukturat vendore, atëherë strukturat vendore mbajnë përgjegjësi për këtë.

Dhe kjo është aplikuar dhe do të aplikohet në të gjithë vendin, edhe në vijim.

Pyetja: A keni ndonjë person të ndëshkuar?

Ministri Lleshaj: Ka. Ka pasur.

Pyetje: Meqenëse jeni duke folur me shifra, nuk ka pasur një pasqyrë të sipërfaqeve të kultivuara?

Ministri Lleshaj: Ka pasur shifra dhe ne publikojmë, në faqen zyrtare të Ministrisë së Brendshme, i shihni shifrat në mënyrë ritmike, periodike, për arsye se ne nuk kemi asgjë për të fshehur.

Sivjet, në nivel të përgjithshëm, në territorin e Shqipërisë, ka pasur dy gjëra që vlejnë për vëmendjen tuaj: e para, ka pasur një intensitet të lartë të kontrollit për arsye se Policia ka pasur më shumë kapacitete në dispozicion për të kontrolluar territorin, më shumë mjete, logjistikë shumë të madhe, më shumë orë fluturimi nga misionet e monitorimit ajror, qoftë të huaja, qoftë të vendit, ka pasur më shumë një flotë të madhe dronesh në përdorim, pra ka pasur shumë kapacitete dhe shumë angazhim, e për rrjedhojë sivjet janë gjetur dhe asgjësuar më shumë bimë narkotike, sesa vitin që shkoi.

Kjo nuk do të thotë që sivjet është kultivuar më shumë, por sivjet është goditur më shumë.

Pse? Sepse ne shohim një tregues tjetër që e provon këtë. Se pyetja shtrohet a ka më shumë kanabis në treg sivjet nga një vit më parë?

Ne themi jo, për arsye se destinacionet e kanabisit me origjinë nga Shqipëria që janë Italia, Greqia dhe Mali i Zi kanë provuar se në vitin 2020, sasia e sekuestruar në këto vende është shumë herë më e ulët sesa sasia e sekuestruar në vitin 2019.

Nuk po flas për vitet e mëparshme. Për t’ju dhënë një shembull, sivjet në Itali janë sekuestruar deri tani, vetëm 911 kg kanabis nga Shqipëria, ndërkohë, që në këtë vend, në vitet e shkuara janë kapur tonelata e tonelata të tëra.

Do të thotë që prodhimi ka rënë në mënyrë të ndjeshme dhe një tregues tjetër që provon këtë është edhe çmimi i kësaj lënde narkotike në tregun e zi i cili ka arritur në nivele stratosferike, krahasuar me historinë.

Pyetje: Ju e dini shprehjen e famshme që "sa më shumë korret, aq më shumë mbillet". A janë të frikshme paratë e krimit, e të drogës që mund të përdoren nga elementë kriminalë në fushatë elektorale?

Ministri Lleshaj: Kjo shprehje, nuk e di se nga vjen, s’e kam dëgjuar ndonjëherë këtë shprehjen që sa më shumë mbillet, aq më shumë korret.

Megjithatë do t’ju them se nuk shoh ndonjë lidhje këtu (me fushatën elektorale).

E para, duhet mbajtur në konsideratë fakti që ne po angazhohemi shumë dhe duam që edhe këtë vit, betejën me kanabisin ta përfundojmë përpara se fushata elektorale të fillojë. Dmth të shterojmë çdo përpjekje.

ME TE LEXUARAT