Bullgaria bllokon hapjen e negociatave BE-Shkup

Kosovë&Rajon
Bullgaria bllokon hapjen e negociatave BE-Shkup

Bullgaria bllokon hapjen e negociatave mes BE-së dhe Maqedonisë së Veriut për shkak të një grindjeje lidhur me interpretimin historik.

Bullgaria nuk mund ta miratojë vendimin, për hapjen e negociatave mes BE dhe Maqedonisë së Veriut, sepse „kërkesat bullgare nuk janë marrë parasysh", tha ministrja e Jashtme bullgare, Ekaterina Zaharieva të martën (17.11) pas një video-konference me homologët e saj të BE-së. Qeveria gjermane, që mban aktualisht presidencën e radhës në BE, megjithatë i përmbahet planit për hapjen e negociatave deri në fund të këtij viti. Shtetet e BE-së qysh në fillim të vitit pas një ngurrimi të gjatë më në fund dhanë dritën e gjelbër për procesin e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Një projekt-marrëveshjeje për fillimin konkretisht dhe rrjedhën e bisedimeve është ende e papërcaktuar, sepse Bullgaria si vend anëtar në BE akuzon Maqedoninë e Veriut, se nuk po lëshon pe lidhur me grindjet me sfond historik dhe kulturor.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Presidenca gjermane e BE-së javën e kaluar „u përpoq intensivisht për një afrim pozicionesh" e madje pati edhe përparime, tha ministri i shtetit për Europën Michael Roth i partisë socialdemokrate, „Por këto hapa nuk mjaftuan për t'i bindur miqtë tanë bullgarë." Sidoqoftë tha Roth, „ende jam optimist", se mund të arrihet një marrëveshje nën presidencën gjermane. Grindja mes dy vendeve ka të bëjë ndër të tjera me gjuhën e Maqedonisë së Veriut. Bullgaria refuzon cilësimin e gjuhës si „maqedonisht" ose „maqedonishte e veriut". Sipas Sofjes, meqënëse është fjala për një dialekt të bullgarishtes, duhet që ajo të quhet "gjuha zyrtare e Maqedonisë së Veriut”. Po ashtu Bullgaria nuk pranon ekzistencën e një minoriteti maqedonas në Bullgari, sikurse pretendon Maqedonia e Veriut. Veçanërisht partia e vogël nacionaliste VMRO, partia partnere e koalicionit në qeverinë e kryeministrit Boiko Borissov, e konsideron të gjithë popullsinë e Maqedonisë së Veriut si etni të Bullgarisë.

Bullgaria mbetet e hapur për gjetjen e një zgjidhjeje

Ministrja e Jashtme bullgare, Zaharieva u shpreh e hapur për përpjekje për gjetjen e një zgjidhjeje. "Por dëshira për bisedime dhe kompromise është e nevojshme nga të dyja palët”, tha ajo. Konfliktet bilaterale nuk duhet të mbeten të pazgjidhura gjatë procesit të zgjerimit të BE-së.

"Tani nuk është koha për të transferuar problemet bilaterale në nivelin europian", tha ministri i shtetit Roth, i cili drejtoi video-konferencën e ministrave. Bisedimet, për të cilat është rënë dakord, duhet „të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur" dhe procesi i anëtarësimit „nuk duhet të kthehet në peng të kërkesave bilaterale të vendeve të veçanta anëtare".

Roth theksoi, se hapja shpejt e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut „është në interesin e vet BE-së". Ai tha, se shpreson, që „të gjithë kolegët dhe vendet anëtare të arsyetojnë sipas interesit të përbashkët" dhe „të tregohen pragmatikë e solidarë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës". Sipas Roth synimi është, që „t'i jepet një sinjal i besueshmërisë vendeve të Ballkanit Perëndimor".

Hapja e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është shoqëruar me debate edhe përpara dakordësimit në pranverë. Komisioni i BE-së qysh në vitin 2018 i vlerësoi këto vende, se kanë realizuar reformat e nevojshme. Franca, por edhe Danimarka e Holanda e frenuan dhe e vonuan atë, derisa procesi për dy kandidatët për anëtarësim u kushtëzua me kritere të forta.

ME TE LEXUARAT