Vuçiç frikësohet nga rusët: Mos i nënvlerësoni

Aktualitet
Vuçiç frikësohet nga rusët: Mos i nënvlerësoni

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç tha mbrëmë në një televizion në Beograd se shërbimet ruse të inteligjencës veprojnë në Beograd dhe la të nënkuptohet se ato e vëzhgojnë atë.

Në pyetjen nëse ka komunikuar me ambasadorin rus në Beograd para udhëtimit në Uashington kur u arrit marrëveshja e 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë, Vuçiqi, deklaroi “mos i nënvlerësoni shërbimet ruse të inteligjencës …”, duke e lënë në gjysmë fjalinë.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Më pas ai tha se për gjithë marrëveshjen e kishte njoftuar edhe Vladimir Putinin.

Duke komentuar këtë, njohësi i çështjeve të sigurisë Agim Musliu, ka thënë se Vuçiçi frikësohet shumë nga rusët, veçmas nga shërbimet e tyre të inteligjencës.

“Aleksandar Vuçiç duket qartë se frikësohet nga shërbimet ruse të inteligjencës dhe mbrëmë në këtë intervistë nuk guxoi ta vazhdojë mendimin për ta. Ai vetëm e pranoi se shërbimet ruse të inteligjencës vazhdimisht e vëzhgojnë politikën e tij”, ka deklaruar Musliu.

Musliu e sheh këtë në aspekt më të gjerë. Ai e ndërlidhi me një periudhë më të gjatë kohore raportin Vuçiç – shërbime sekrete ruse.

“Vuçiçi është frikacak. Para një viti i pyeti rusët me atë pse-në e madhe për rastin e quajtur Kleban, kur oficeri rus i inteligjencës po merrte informacion sekret nga një ish-zyrtar ushtarak serb. Dukej që ishte i hidhëruar në rusët. Kurse, deklarata e mbrëmshme tregon se ai ose është duke u frikësuar nga ta, ose është duke u punuar prapa shpinës”, tha Musliu.

Në fund të vitit të kaluar, Serbinë e tronditi rasti i spiunazhit “Kleban”. Edhe shërbimi serb i inteligjencës BIA kishte dalë publikisht dhe kishte pranuar se rusët kishin vepruar fshehtazi në Beograd kur po përpiqeshin që merrnin informacion ushtarak në Serbi.

Agim Musliu thotë se, raportet e Serbisë dhe Rusisë tash për tash duket se nuk janë aq të brishta, por se evidenton faktin se aty ka një mosbesim reciprok.

“Nëse e shikoni këtë mozaik, atëherë e vëreni se edhe në protestat që ndodhën gjatë verës në Beograd, pati një tension ruso-serb. Aty kishte edhe operativë rusë të inteligjencës. Edhe në këtë rast, Vuçiçi pati reaguar. Por, vërtet ai është frikacak dhe kështu po e qet në lajthitje edhe Bashkimin Evropian, i cili vazhdimisht ka kërkuar nga ai që të pozicionohet ndaj Rusisë sipas politikave evropiane”, ka thënë Musliu.

Shërbimet ruse të inteligjencës kanë shtuar praninë në Ballkanin Perëndimor në vitet e fundit. Në vitin 2016, dy oficerë rusë kishin provuar që përmes një organizimi në mes të serbëve ta vrasin presidentin e Malit të Zi Milo Gjukanoviç. Megjithatë, ndërkohë shumë vende të Ballkanit dëbuan punonjës të ambasadave ruse nga vendet e tyre, duke i dekonspiruar ata si spiunë rusë. Ky reaksion zinxhiror pati pasuar pas rastit Skripal në Londër.

ME TE LEXUARAT