Lajmi Fundit
Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqiperia, informacionet e fundit, lajmeshqip, lajmet, lajm nga vendi, lajme nga kosova, lajme rajoni, bota, live te fundit news 24

Ushtria greke në ishullin përballë Shqipërisë, Gjenerali shqiptar jep alarmin

Shkruan, Piro Ahmetaj, Gjeneral
Në disa gazeta greke dhe shqiptare ka qarkulluar lajmi i bujshëm se: “qeveria Greke po planifikon të vendosë prezencë ushtarake në Othonoi”, ishull që është i njohur si një referencë e shumë-debatuar në përpjekjet e ndarjes së detit mes dy vendeve tona.

Në cilësinë e ekspertit të sigurisë kombëtare dhe çështjet e NATO-s, më duhet të them se me gjithë përpjekjet nuk gjeta as një konfirmim zyrtar, dhe për rrjedhojë dëshiroj të besoj se nuk kemi të bëjmë me një lajm të vërtetë, por thjesht një “testim propagandistik” që i bëhet opinionit publik në Greqi dhe Shqipëri.

Për më tepër, uroj dhe besoj të jetë edhe një “fake news” për konsum politik të brendshëm të qeverisë greke, si për të dëshmuar para opinionit publik se përpjekjet për zgjerimin e Greqisë me 12 milje, do të arrihen me çdo mjet, përfshi rritjen e prezencës dhe përdorimin e fuqisë ushtarake.

Nga ana tjetër, nëse/po ta konsiderojmë si lajm të vërtetë, që Greqia në momentin e negocimit me RSH për delimitimin e hapësirave ujore planifikon që në një ishull me 400 banorë, përballë një vendi anëtar të NATO-s të vendosë kapacitete ushtarake, atëherë ky do të përbënte një provokim të rëndë, me pasojë përkeqësim e frymës së mirëbesimit reciprok dhe marrëdhënieve mes dy vendeve ?! E thënë më thjesht do ishte marrëzi !

Për ta bërë më të qartë këte këndvështrim, le të shikojmë situatën e sigurisë në Mesdhe, duke u fokusuar në rastet e projektimit të prezencës dhe përdorimit të fuqisë ushtarake.

Është historikisht e njohur, se shtetet synojnë arritjen e qëllimeve strategjike nëpërmjet angazhimit të instrumentave diplomatike dhe ekonomike, ndërsa përdorimi i fuqisë ushtarake mbetet opsioni i fundit dhe vetëm mbasi janë konsumuiar të gjitha të tjerat.

Konkretisht, situata e sigurisë në Mesdheun Lindor për afro një vit mbetet e brishtë, kryesisht si rezultat i masave dhe veprimeve të njohura të Greqisë dhe Turqisë.

Ndërkohë në Jonin Verior vijojnë përpjekjet për delimitimin e ujërave midis Shqipërisë dhe Greqisë (si një qëllim strategjik i Greqisë), për të cilat sipas deklarimeve mediatike të të dy Kryeministrave do të angazhohen gjykatat ndërkombëtare !

Po ashtu referuar gazetës greke, kemi edhe dy qëndrime me peshë të rëndësishme dhe kërcënuese për pozitën dhe interesat e RSH nga kryeministri i Greqisë dhe ai i Shqipërisë:
Kryeministri Mitsotakis ka deklaruar se: “vendi i tij fillimisht do të zgjerojë 12 milje, sipërfaqen e ujërave territoriale dhe më pas të shkojë në gjykatë”, ndërsa, kryeministri Rama: “në mënyrë të perseritur ka mbeshtetur të drejtën e Greqisë për të dyfishuar ujërat territoriale nga 6 në 12 milje”.

Pikërisht, referuar kësaj qasje më shumë se diletante të kryeministrit, duke njohur dhe “mbështetur” apriori zgjerimin me 12 milje, sic e kemi përmendur dhe në shkrime të tjera, do të vështirësonte dhe kërcënonte interesat e RSH-së, qoftë edhe në gjykatë, në interes të Greqisë, pasi do të negociohet mbi “sovranitet” dhe jo mbi të “drejta sovrane”.

Dhe nëse është kështu, jo vetëm e gjej një provokim serioz ndaj integritetit të RSH, por edhe në kundërshtim me parimet themelore të marrëveshjes së Uashingtonit, si dhe frymën e mirëbesimit reciprok mes vendeve të NATO-s.

Gjithësesi, qoftë edhe planifikimin e një prezencë të shtuar ushtarake në Othonoi, nuk e gjej fare, as të dobishëm as te nevojshëm, por si marrëzi për të mos u neglizhuar. Por cilat mund të ishin disa nga synimet strategjike të Greqisë me këtë veprim ?

E para, rritja e prezencës dhe krijimi i njësive ushtarake në kohë paqje, kryhen për arritjen e objektivave afatgjata të sigurisë kombëtare. Por objektivat operacionale në këtë rajon, (autoritetit/sovranitetit detar) Greqia mund t’i realizojë edhe nga Korfuzi, për shkak të afërsisë gjeografike me Othonoin. Në këtë kontekst, pavarësisht se marrëdhëniet me Shqipërinë janë paqësore (e ritheksoj nëse e vërtetë !), militarizimi i ishullit Othonoi është rezultat i ndryshimit të konceptit strategjik të Greqisë për të zgjeruar rrezen e kontrollit të hapësirës detare.

Në këtë rast efekti strategjik që synohet është për të rritur peshën e ishullit Othonoi me të drejtat e tokës “tokës kontinentale”, dhe për rrjedhojë për të zvogëluar hapësirën e ZEE dhe Shelfin Kontinental për negocim me Shqipërinë.

Për më keq, e gjej si hapin e parë, dhe e lexoj si mesazh strategjik të qeverisë greke ndaj Shqipërisë dhe institucioneve ndërkombëtare (përfshi gjykatat) në mbështetje të zgjerimit të ujrave territoriale në 12 milje dhe me synim të “imponojë, qoftë edhe në gjykatën ndërkombëtare” në favor të Greqisë, delimitimin e hapësirave detare me Shqipërinë.
Ndërsa marrëveshja e detit me Greqinë mbart një sensibilitet kombëtar, dhe parë në këtë kontekst shteti grek po vepron si shtet normal, duke përdorur instrumentat, “përfshi planifikimin e fuqisë ushtarke” që disponon në interesin e vetë kombëtar.
Cështja që shtrohet është a duhet të konsiderojë dhe reagojë dhe shteti shqiptar si shtetet normale me mekanizmat e sigurisë kombëtare ?

A disponon RSH instrumente të mjaftueshme dhe kapacitete të afta për të ushtruar të drejtat sovrane si reaguar dhe përballur nëse do të ketë kontestime mbi zgjidhjen e çështjes së ujrave ?

Do doja dhe lutem të jem gabim, por mbetem tepër skeptik për këtë, pasi vetëm pak muaj më parë, fatekeqësisht qeveria Rama “guxoi të fshijë” nga inventari i burimeve të mbrojtjes së RSH bazën e detare të Sarandës, një infrastrukturë me peshë kritike në ushtrimin e sovranitetit detar të RSH në Kanalin e Korfuzit, si dhe për operacionet e NATO-s.

Ndërsa nga komunikimi me ekspertë/koleg të SHBA, më është konfirmuar se: heqja e kësaj baze si dhe për shkak të distancës nga Baza e Pashalimanit, e pamundëson ushtrimin e autoritetit (sovranitetit) detar, në gjirin e Sarandës dhe ujërat e Jonit.

Për sa më sipër, në cilësinë e ish-këshilltarit, do t’i rekomandoja Presidentit që në përgjegjësinë kushtetuese të Komandantit të Përgjithshëm, mbështetur në nenin 92/h të Kushtetutës t`i kërkojë Kryeministrit: “informacion shterues për miratimin e zgjerimit 12 milje dhe shtimin e prezencës ushtarake nga pala greke, çka e kërcënojnë seriozisht pozitën e RSH në Kanalin e Korfuzit; për heqjen e bazës mbështetëse detare të Sarandës nga Plani i Përhapjes, gjendjen e kapaciteteve të FD për ushtrimin e sovranitetit detar, si dhe mbrojtjen e interesave gjeopolitike të RSH në Mesdhe”.

Ndërsa mesazhi im për “hartaxhinjtë dhe patriotët me qillota ushtarake”, për shtetarët dhe zyrtarët delikuentë, nuk është kurrësesi, as të bëhen kamikaz, as dëshmorë, por të zgjohen nga ëndrrat me “epope të lavdishme” si dhe të mos shpërdorojnë më tej si kauzë patriotiko-nacionaliste çështje me impakte strategjike mbi sigurinë kombëtare.

Thënë sa më lart, nuk pretendoj të bëj Eureka-n as të gjithëditurin. Në të kundërt, shpresoj që të kontribuojë modestisht për të zgjuar Autoritetet dhe institucionet përgjegjëse rreth kësaj çështjeje me peshë kritike për sigurinë mbarë-kombëtare.

Artikulli eshte marre nga abc news al
*Gjeneral ® Piro AHMETAJ,

Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në PD,

Ish-Këshilltar Ushtarak i President dhe ZV/SHSHPFA;

Perfaqësues i RSH në Komandën Supreme të NATO-s.

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet