Lajmi Fundit
Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqiperia, informacionet e fundit, lajmeshqip, lajmet, lajm nga vendi, lajme nga kosova, lajme rajoni, bota, live te fundit news 24

Shtimi i sëmurëve me Covid, spitalet e Kosovës pa oksigjen mjaftueshëm

Spitalet rajonale në Kosovë, kanë mbetur në rezervat e fundit të oksigjenit, i cili është i domosdoshëm për rastet që janë në gjendje më të rëndë shëndetësore, për shkak të virusit Covid-19.

Për shkak të furnizimit të pamjaftueshëm, ato po mundohen që të shkëmbejnë me njëra-tjetrën edhe rezervat e fundit të oksigjenit që u kanë mbetur.

Drejtor i Spitalit të Ferizajt, Jeton Zeqiri, ka thënë për Gazetën Express, se kërkesat për oksigjen në këtë spital janë shumë të mëdha, por që momentalisht kanë mungesë të tij.

Ai është shprehur se janë duke u koordinuar me spitalet tjera, në mënyrë që asnjë pacientë të mos mbetet pa të.

“Jemi duke pasur shumë probleme për shkak që operatori nuk po mundet të bëjë furnizim të mjaftueshëm dhe po mundohemi të organizohemi bashkë me spitalet tjera që të shkëmbejmë me njëri tjetrin oksigjenin”, është shprehur ai.

Zeqiri thotë se për shkak të mungesave u duhet që të dërgojnë një pjesë të punëtorëve shëndetësorë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në mënyrë që të flasin me operatorët e të gjejnë një zgjidhje.

Ndërsa, edhe në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës gjendja me pandeminë është e rëndë. Ky qytet është në zonën e kuqe, ku janë listuar komunat më të prekura.

Zëdhënësi për media i këtij spitali, Naim Sahiti, ka treguar se gjendja sa i përket furnizimit me oksigjen, është rënduar.

Sipas tij, vështirësitë në furnizimin me oksigjen, po e ngarkojnë edhe më shumë stafin shëndetësor.

“Ka vështirësi të theksuara, por për momentin po arrijmë t’i mbulojmë nevojat. Deri më tani asnjë pacienti nuk i ka munguar oksigjeni por gjendja e tanishme është e rënduar. Vështirësitë në furnizim me oksigjen po i marrin kohë dhe energji stafit që merret direkt me trajtimin e Covid-19”, ka deklaruar ai.

Tutje, Sahiti ka theksuar se situata bëhet edhe më e rënduar kur edhe punëtorët shëndetësorë po infektohen me këtë virus.

Sipas tij, deri tani, 18 punëtorë shëndetësorë të këtij spitali janë infektuar me Covid-19.

Spitalet demantojnë Hotin, shumë pacientë në oksigjeno-terapi e pak oksigjen

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, gjatë ditës së djeshme përmes një postimi në rrjetin e tij social facebook, ka thënë se janë rritur kapacitetet për furnizim me oksigjen të lëngshëm,

Megjithatë, një gjë të tillë po e mohojnë nga spitalet rajonale në vend.

Zyrtari për Komunikim në Spitalin e Prizrenit, Shefajet Berisha, ka thënë për Gazetën Express, se nga 121 pacientë të hospitalizuar, 78 janë me oksigjen.

Berisha është shprehur se me rritjen e numrit të pacientëve, po shpenzohet edhe më shumë oksigjeni.

“Për momentin jemi të furnizuar me O2, por me rritjen e numrit të pacientëve është rritur edhe shpenzimi i O2. Ne kemi një tanker 10 tonësh me O2, por meqë O2 është produkti kryesor për trajtimin e pacientëve në këtë periudhë dhe meqë shpenzimet e O2 i kemi enorme, ne kemi kërkuar që të furnizohemi edhe me një tanker tjetër”, ka deklaruar ai.

Ndërsa, edhe drejtori Klinik në Spitalin i Përgjithshëm të Gjilanit, Ukshin Ismaili, ka deklaruar për Express se situata sa i përket furnizimit me oksigjen nuk është e mirë.

“Të gjitha spitalet po përballen me këtë gjendje. Situata nuk është e pëlqyeshme, por të gjithë pacientët që janë duke u trajtuar kanë oksigjen”, ka thënë ai.

Kujtojmë që probleme sa i përket furnizimit me oksigjen këtë vit ka pasur edhe Qendra Klinike Universitare të Kosovës.

Së fundmi ishte anuluar edhe njoftimi për kontratë për furnizim me oksigjen medicinal në Shërbimin Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës, për shkak se nuk kishte asnjë ofertues.

Megjithatë, pas disa ditësh SHSKUK ka arritur ta nënshkruaj kontratën.

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet