Lajmi Fundit
Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqiperia, informacionet e fundit, lajmeshqip, lajmet, lajm nga vendi, lajme nga kosova, lajme rajoni, bota, live te fundit news 24

Pipero jep këshilla për Covid-19: Mjekimi, simptomat dhe kur duhet t’i drejtohemi mjekut

Sipas mjekut, masat e vendosura nga Komiteti Teknik duhen zbatuar me rigorozitet, pasi vetëm në këtë mënyrë do të ulim rastet e infeksionit, dhe do të evitohet një iziolim i dytë i vendit.

Pipero tha se rastet fatale përgjithësisht ndodhin tek pacientët të cilët kanë sëmundje të tjera shoqëruese, të cilat mund të jenë edhe të fshehura.

Të tilla mund të jenë diabeti apo sëmundje të tjera kronike. Ai theksoi se virusi nuk bën selektim të moshës, ai mund të infektojë të gjithë.

“Duhen respektuar masat e vendosura, nëse i respektojmë mirë nuk do kemi mbyllje të dytë. Përtej shifrave që janë relative, në 500 raste 10 apo 15 % e tyre vijnë në spital. Virusi nuk bën selektim moshe, i prek të gjithë.

Është e pashmangshme humbja e jetës edhe tek moshat e reja 50 apo 60 vjeç. Ajo që vihet re së fundmi, ndoshta për shkak të mungesës së aktivitetit fizik, apo për shkak të sëmundjeve të fshehura siç është diabeti apo sëmundje të tjera kronike ka patur humbje jete edhe tek moshat e reja por komplikacione mund të ketë edhe një pacient i një moshe më të re pa sëmundje shoqëruese.

Sa i përket komplikacionit siç janë problemet psikologjike, ka kohë që në spitalin Infektiv janë të pranishëm psikologët, të cilët çdo ditë shkojnë dhe vizitojnë 7 apo 8 të sëmurë.

Kjo sëmundje ka të bëjë me ulje të oksigjenit në tru gjë e cila jep çrregullime , që shpesh janë të papritura dhe të pashmangshme për ti ndaluar dhe nuk ndodhin vetëm në Shqipëri. Dua të them që sjellja e sistemit qëndror nervor përballë këtij virusi është totalisht e paparashikuar”, tha Pipero.

Pyetjes së gazetares Juli Xhokaxhi se çfarë ka ndryshuar nga vala e parë në krahasim me të dytën, Pipero tha se me ecurinë dhe njohjen më mirë të sjelljeve të virusit, konstatohen më tepër simptoma që shkaktohen nga Covid-19.

“Është e shumëllojshme, në fazat e para ka simptomat e një gripi të zakonshëm që më pas agravohet, duke shfaqur simptoma të tilla si djersitje, temperaturë, dhimbje kyçesh, dhimbje veshi, gërvishtje fyti etj” , u shpreh Pipero ndërsa dha edhe disa këshilla të vyera, se si duhet të ndihmojmë shëndetin tonë që sistemi imunitar të reagojë më së miri në përballje me infeksionin, dhe medikamentet ndihmëse që duhen përdorur.

“Të gjithë edhe unë dhe kolegë të mitë, kemi pasur raste të pacientëve që kanë ardhur dhe na kanë thënë që kanë përdorur medikamente të sugjeruara nga të tretët dhe kjo është e gabuar.

Për sa i përket këshillave që mund të jenë të vlefshme për këta pacientë, është ecja, çaji i ngrohtë dhe gjumë të qetë. Sidomos pacientëve që kanë simptoma të lehta. Po ashtu ata të cilët kanë shenja të lehta të Covid, të përdorin paracetamol të thjeshtë dhe vitamina, nëse këto simptoma vazhdojnë përtej tre ditëve, atëherë duhet ti drejtohen mjekut të familjes.

Është në vlerësimin e mjekut se çfarë duhet të përdorë pacienti në vijim. Sa i përket tamponit, ajo është një analizë e rëndësishme dhe rutinë për ti vënë emrin, megjithatë ka të tjerë indikatorë siç është analiza e gjakut, që përcakton gjendjen e qartë të shëndetit të pacientit.

Në një temperaturë të lehtë 37.5 në dy apo tre ditët e para, nuk mund të bëhet tamponi sepse nuk e tregon saktë pozitivitetin ose jo, por duhet pritur.

Ajo që këshilloj më tej është se të gjithë qytetarët nuk duhet të marrin parasysh se dita e 7 apo 8 apo e 9, vlen për qytetarët që shtrohen në spital, ndërsa pacientët që e kalojnë në shtëpi nuk ka rëndësi ky numërimi i ditëve.

Sa i përket simptomës së humbjes së shijes, jo në të gjitha rastet kjo simptomë tregon se pacientët janë me Covid. Këshilloj që pacientët që dyshojnë se kanë Covid të jenë të qetë, dhe ti drejtohen mjekut të familjes sepse ata kanë eksperiencë dhe ndjekin më mirë rastet”, këshilloi Pipero.

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet