Meta thirrje qeverisë: Jetike që të shtohet masivisht numri i testimeve

Politikë
Meta thirrje qeverisë: Jetike që të shtohet masivisht numri i

Për Presidentin Ilir Meta është jetike që të shtohet numri i testeve masivisht.

“Testimi është mjeti tepër efikas për diagnostifikimin, gjurmimin dhe trajtimin në kohë të qytetarëve të prekur nga COVID-19. Testimi është mundësia e vetme për të vendosur kontrollin mbi situatën dhe për të organizuar përgjigjen e sistemit shëndetësor për çdo qytetar të prekur nga COVID-19”, thotë Meta.

Kreu i shtetit bën thirrje për testim të disa kategorive. Së pari sipas tij duhen testuar personeli shëndetësor, më pas arsimtarët, të moshuarit dhe në fund qytetarët me sëmundje bashkëshoqëruese.

“Si hap i parë, duhet të testohen menjëherë:

Të gjithë mjekët, infermierët dhe personeli mbështetës në sistemin e shëndetësor, parësor dhe spitalor, të cilët janë në vijën e parë të përballjes me COVID-19.

Të gjithë arsimtarët, në çdo nivel, për shkak se testimi dhe gjurmimi pasues i rasteve të tyre lidhet drejtpërdrejt me shëndetin e fëmijëve tanë.

Të gjithë të moshuarit e vetmuar, të cilët jetojnë të shtëpitë e kujdesit social.

Të gjithë qytetarët me sëmundje bashkëshoqëruese.

Për të gjitha këto kategori është tepër e nevojshme, sipas rekomandimeve të OBSH-së dhe organizatave të tjera, të nisë menjëherë edhe vaksinimi me vaksinën e gripit stinor. Për këtë qëllim të miratohet pa vonesë edhe një plan urgjent, transparent dhe i monitorueshëm në çdo moment. Pandemia mund të vihet nën kontroll dhe jetët e qytetarëve mund të shpëtohen. Çdo ç’organizim, mosfinancim dhe mosveprim sjell pasoja fatale përditë. Shkenca ka folur. Koha për të vepruar nuk pret më”, tha Meta.

 

ME TE LEXUARAT