Lufta kundër kanabisit, Lleshaj: Këtë vit janë kapur sasi minimale droge

Aktualitet
Lufta kundër kanabisit, Lleshaj: Këtë vit janë kapur sasi

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj është ndalur në Durrës për të nisur fushatën antikanabis për vitin 2020-2021 si dhe për një analizë me strukturat drejtuese të DVP Durrës dhe Komisariateve të kësaj drejtorie.

Në një deklaratë për mediat Lleshaj tha se nisi nga Durrësi për shkak se Kruja që qenë dhe mbetet një vatër e kuqe e kultivimit të drogës. Lleshaj kërkoi zhbërjen e këtij fenomeni nga Shqipëria.

Sipas tij, këtë vit Shqipëria ka arritur sukses sepse në Itali janë kapur sasi minimale droge.

“Sot zhvilluam një analizë në Drejtorinë Vendore të Qarkut Durrës, kryesisht me dy çështje në diskutim. E para, ishte ajo që lidhet me luftën kundër tentativave për kultivim të kanabisit në këtë qark.

Bëmë bilancin e punës së këtij viti, si dhe filluam, si të thuash, operacionin e ri për vitin 2021, i cili do të jetë po ashtu një thellim i mëtejshëm i angazhimit tonë në luftën kundër kanabisit në Durrës dhe në të gjithë Shqipërinë.

Por e filluam nga Durrësi për arsye se në Durrës, specifikisht në Krujë, kemi pasur shqetësime kronike prej shumë kohësh.

Ka ardhur koha që intensiteti i punës dhe i luftës së Policisë ndaj këtij fenomeni në këtë rajon, të thellohet në mënyrë që të zhbëhet përfundimisht ky fenomen nga Shqipëria dhe nga Qarku i Durrësit.

Dua të them që viti 2020 shënon vitin e angazhimit më të madh dhe të sukseseve më të mëdha në luftën kundër kanabisit. Kjo matet në dy tregues kryesorë: treguesi i parë kryesor është sasia që kapet në vendet e destinacionit tradicional, Itali, Greqi, sasi e cila ka zbritur në minimumet historike.

Po them që vetëm në këtë vit janë kapur në Itali gjithsej 911 kilogramë, nga sasi shumë të mëdha që janë kapur historikisht në këtë vend, po kështu edhe në vende të tjera. Megjithatë angazhimi ynë është që ky fenomen të zhbëhet në themel.

Ne duam që luftën e operacionin e ri të 2021 ta fillojmë tani. Do fillojë që tani në të gjithë vendin në mënyrë që të lirohen krahët e Policisë për të kryer edhe detyra të tjera, të cilat do të jenë të pashmangshme në kuadër të angazhimit të saj për garantimin e procesit zgjedhor në vitin 2021”, deklaroi Lleshaj.

Ministri tha më tej se në mbledhje u diskutua edhe përballimi i situatës së pandemisë duke iu bërë thirrje qytetarëve të kufizojnë daljet jashtë shtëpisë.

“Çështja e dytë, diskutuam masat që kanë të bëjnë me luftën kundër-covid. Ende vazhdojmë të jemi në kulmin e një angazhimi të madh për të përballuar këtë pandemi. Policia e Shtetit është e angazhuar dhe do të jetë po ashtu në terren për të implementuar ato masa që janë përgjegjësi e saj.

Ndërkohë që unë gjej rastin t’u bëj thirrje qytetarëve për bashkëpunim. Është me rëndësi jetike që këtë sakrificë të madhe që kemi bërë të gjithë së bashku përgjatë muajve të këtij viti, ta vazhdojmë edhe në këtë periudhë të mbetur e cila po shkurtohet, besojmë të gjithë që po shkurtohet periudha që ka mbetur e luftës, por është me rëndësi që të mos lëshojmë tempin e angazhimit tonë në këtë front shumë të rëndësishëm.

Është me rëndësi që çdo qytetar të bëjë pjesën e tij, të kufizojë në maksimum ato lëvizje që nuk janë të domosdoshme; të rinj dhe të reja, të moshuar dhe gjithë të tjerët, duhet të kufizojnë maksimalisht daljet e panevojshme, në mënyrë që të reduktojmë sa më shumë riskun e përhapjes së mëtejshme të infektimit”, tha Lleshaj.

Sa i përket monitorimit të personave me COVID-19 që thyejnë karantinën, ministri i Brendshëm u shpreh se shifrat e personave të prekur janë të mëdha dhe monitorimi fizik i tyre nuk është një çështje aq e thjeshtë.

“Ne po punojmë, në bashkërendim të Policisë së Shtetit me strukturat e pushtetit vendor, për të arritur të bëjmë të mundur monitorimin e tyre dhe për të mundësuar edhe aplikimin e sanksioneve të domosdoshme.

Gjej rastin t’i bëj thirrje kujtdo që konstaton persona të infektuar, që janë në nivelin e papërgjegjshmërisë dhe dalin në mjedise publike, të kontaktojë Policinë e Shtetit, sepse ky është një rrezik jetik për qytetarët e tjerë.

Ftoj këdo që ka informacion, edhe median, që jo vetëm të ngrenë çështjen në tërësinë e saj, por edhe ta ngrenë çështjen në nivelin individual, përmes denoncimit pranë Policisë së Shtetit, në mënyrë që t’i parandalojmë personat e papërgjegjshëm për t’u bërë rrezik publik”, deklaroi ministri.

ME TE LEXUARAT